Banka e Shqipërisë do të rrisë me 25% rezervat valutore

Banka e Shqipërisë parashikon gjatë tre viteve në vijim të rrisë me 25% rezervat valutore në totalin e pothuajse 7.2 miliardë eurove.
Rritja e kësaj rezerve shihet si një instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura me deficitin e llogarisë korrente dhe euroizimin e sektorit financiar në vend.
Sipas BSH-së, rezerva valutore shërben për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm; mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit si dhe mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit. Ekspertët thonë se rezerva valutore shërben për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të 9-mujorit 2023 rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.73 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 13.3%, ose 671 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rezerva valutore investohet në instrumente të qeverive të SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës. P
Banka e Shqipërisë organizon rregullisht ankande për blerje valute, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Këtë vit 2024, Banka e Shqipërisë ka planifikuar blerje në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 milionë euro dhe 300 milionë euro.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




