Basha denoncon Ramën te PPE, kërkon vaksinën anti-COVID

Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane, partitë simotra të PD-së, kanë zhvilluar punimet online, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Pas përfundimit të Asamblesë, PPE doli me një draft-rezolutë për zhvillimet në Shqipëri ku vuri theksin në funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira më 25 prill, duke i cilësuar si jetike për integrimin e vendit në BE.
Më tej rezoluta vijon duke i bërë thirrje qeverisë të bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar krizën e thellë kushtetuese dhe politike në Shqipëri, ku ajo që vihet re është se drafti i simotrës së PD përmban akuzat e bëra nga opozita çdo ditë në media, sikur ta ketë shkruar vetë ajo.
“PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe vlerëson dakordësinë e 5-Qershorit, ndërsa dënon shkeljen e saj nga qeveria me ndryshime ligjore të njëanshme. Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë. Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias”, thuhet në draft rezolutën e PPE.
Gjatë fjalës së tij Basha u ka kërkuar ndihmë për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19, ndërsa nuk i ndali as aty akuzat ndaj qeverisë se ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë dhe nuk ka marrë masat e duhura. Në njoftimin e shpërndarë nga PD, thuhet se Basha ka folur për mungesë të stafeve mjekësore, kapacitete spitalore janë ezaurur, ndërsa numri i të infektuarve dhe fataliteteve është rritur.
“Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është më se e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, janë në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira.Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve, çka e bën të pamundur në një anë identifikimin në kohë të të infektuarve me COVID-19 dhe trajtimin e tyre në mënyrë profesionale, dhe në anën tjetër shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Sot, numri i të infektuarve është rritur dhe shtrirë kudo, fatalitetet po ashtu, ndërsa kapacitetet spitalore janë ezauruar. Shqipëria vuan dhe mungesën e stafeve mjekësore, pasi ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banor”, u shpreh kryedemokrati.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




