Basha flet për fotot brenda selisë së PD: Berisha ka një shkollë të tërë manipulimi

Në dy ditët e fundit, foto e video të shumta po qarkullojnë për atë që po ndodh brenda godinës së Partisë Demokratike. Kundërshtarët e Bashës kanë postuar foto me dyert e blinduara si dhe personave të armatosur e të mbuluar me kapuçë të zinj, që po mbrojnë selinë nga mbështetësit e Berishës. Kreu i PD, Lulzim Basha tha për mediat se ato pamje nuk janë aspak të vërteta dhe se janë vetëm manipulime.
“Mendoj për një kohë të shkurtër kanë dalë kaq shumë gënjeshtra e manipulime sa nuk besohen më. Berisha ka një shkollë të tërë manipulimi. Është vënë në punë e mbështetur edhe nga dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermundës. Berisha ka prerë demokratët dhe PD-në në besë. Se ai është në një betejë personale, për hallin e vet,” tha Basha.
Kur mbështetësit e Sali Berishës do të shkojnë në seli në 8 janar, Lulzim Basha ka deklaruar se do jetë në zyrën e tij për të vijuar axhendën e ditës. Kryedemokrati e ka cilësuar protestën e thirrur të 8 janarit, si një tjetër shfaqje e shëmtuar e Sali Berishës.
” Do jem në zyrën time në 8 janar në orën 12:00. Në seli do të vazhdohet puna, do të ishte hipokrizi që të thonim se këto 4 muaj, lëvizja për të shkatërruar PD dhe për ta marrë si një plaçkë nuk na ka dëmtuar në axhendën tonë si opozitar. Nuk besoj se ka demokrat që nuk e ka kuptuar tashmë se ajo që nisi për kauzë për demokratizimin e PD, komisari ka gënjyer demokratët, nuk përjashtoj që element kriminal mund të bëjnë gjithçka, në veçanti ato që i bashkon Non Grata, por PD është e përgatitur për çdo situatë. Ato nuk janë gjë tjetër veç që përgjegjësia që demokratët të mos përdoren për mish për top nga demokratët apo elementët kriminal, Ndërsa çdo kush tjetër çdo akt që do të ndërrmarin do i marrin përgjegjësitë që i takojnë në ligj”, tha Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




