Basha: Qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që rritet numri i të prekurve me COVID!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që numri i të prekurve me COVID në Shqipëri po rritet. Gjatë një konference për shtyp të premten zoti Basha tha me ironi se gjoba për maskat është e vetmja masë që ka marrë qeveria deri më tani gjatë pandemisë. “Qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që rritet numri i të prekurve me COVID. E vetmja masë e qeverisë është të gjobisë qytetarët. Thesari zbrazet nga pagesat korruptive për inceneratorë, mbushet me gjobat mbi qytetarët. Vende të tjera kanë paguar paketën e katërt, ndërkohë që kreu i përkohshëm i qeverisë gënjen dhe për paketën e tretë” tha kreu i PD.
Në konferencën për gazetarët, zoti Basha u shpreh se Shqipëria vazhdon të mbetet sipas tij vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon dhe për këtë ka kërkuar shtimin e testimeve si mënyra e vetme për të identifikuar të infektuarit. “Prej marsit kam kërkuar shtimin e testimeve si mënyra e vetme për të identifikuar të infektuarit” tha ai.
Lideri demokrat ka përsëritur sërish zbatimin e planit me pesë pika të opozitës. “Sot i kërkoj edhe një herë të zbatojë planin me pesë pika. Të mbështesë dhe përgatisë sistemin shëndetësor. Të rritet numri i testimeve, 2500 testime në ditë.” tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




