Basha: Rusia kërkon të destabilizojë Ballkanin, Franca të mbështesë anëtarësim e Kosovës në KiE

Kryedemokrati Lulzim Basha i cili mban edhe detyrën si raporter për konfiskimin e aseteve ruse ka deklaruar se Moska me ndihmën e Beogradit po kërkon të destabilizojë rajonin e Ballkanit.
Duke folur pas takimit me Jean-Louis Bourlanges, kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez, Basha thekson se këto përpjekje synojnë ta zhysin Ballkanin në kaos dhe të minojnë krahun juglindor të NATO-s.
“Të tilla janë përpjekjet për destabilizim në rajon, ku synimet e Moskës me mbështetjen e aleatëve të saj në Serbi, janë zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimi i arkitekturës së sigurisë së krahut juglindor të NATO-s, duke provokuar një front të ri në zemrën e Aleancës”, shkruan Basha në rrjetin e tij social.
Biseduam gjerësisht mbi situatën e sigurisë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Europa, ndërsa lufta e agresionit rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.
Basha shkruan gjithashtu se teksa nesër do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ai ka kërkuar mbështetjen e Francës, duke “nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Europës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje.”
Basha shpjegon se ka diskutuar me kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez për rezolutën për “rindërtimin e Ukrainës, ku parashikohet që Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e saj të paligjshme. Në funksion të këtij qëllimi është edhe konfiskimi i aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në mbështetje të Ukrainës”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




