“Bashkë Fitojmë” humbje të thellë në zgjedhjet vendore, Berisha: Farsë elektorale! PS asgjësoi votën e lirë

Politikë | 4 vite më parë

Ndonëse procesi i numërimit në vend nuk ka mbaruar ende, epërsia e Partisë Socialiste në këto zgjedhje vendore është e dukshme, ndërsa nga ana tjetër, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka arritur të marrë deri më tani vetëm 6 bashki.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke i konsideruar zgjedhjet si “farsë elektorale”, ndërsa akuzon Partinë Socialiste për blerje votash.

“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa te omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.

Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë. Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit. Shpreh solidaritetin tim me komisionarin Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre”, tha Berisha.

Pritet ende të përfundojë procesi i numërimit në 19 bashki, por deri më tani Partia Socialiste kryeson në të gjitha. Edhe në Tiranë, kandidati Socialist Erion Veliaj ka një diferencë të madhe votash me kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi. “Bashkë Fitojmë” humbi edhe bashkinë e Shkodrës, një bastion i djathtë që për herë të pari i besoi votën Partisë Socialiste. Benet Beci korri një fitore të thellë, duke marrë mbi 11 mijë vota më shumë se kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme