Begaj nga Mirdita: Bashkia është e qytetarëve, përtej ndasive partiake

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë në Mirditë, ku u takua me autoritetet drejtuese, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve arsimore e kulturore, si dhe me klerikë e banorë të kësaj treve.

Ndalesa e parë ishte Rrësheni, të cilin Presidenti i Republikës e konsideroi si nyje komunikimi jo vetëm me Shkodrën e Lezhën, por dhe me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Mirdita është një pasuri e Shqipërisë, jo vetëm e trevës, për shkak të historisë, kulturës, trashëgimisë, jo vetëm historike, kulturore e sociale, por edhe asaj shpirtërore”, – u shpreh Presidenti Begaj gjatë bisedës me drejtuesit vendorë, deputetët e zonës dhe dom Gjergj Metën, Ipeshkëvin e Dioqezës së Rrëshenit, të cilin e përgëzoi për aktivizimin e tij si misionar në ndihmë të banorëve. 

Presidenti i Republikës u shpreh i gatshëm për të ndihmuar bashkinë përmes adresimit të problemeve dhe lobimeve për projekte që do të sjellin zhvillimin që Mirdita meriton.

Sipas tij, kjo trevë duhet të përfshihet në paketën e turizmit patriotik-fetar-historik.

“Nëse ka një vend në Shqipëri, ku ne mund të bëjmë një turizëm të lidhur me religjionin, me pasurinë e kishave, është Mirdita”, – u shpreh Kreu i Shtetit, sipas së cilit, mirditorët kanë çfarë t’u tregojnë shqiptarëve dhe botës përmes promovimit të historisë.

Këto vlera, bashkë me bukuritë që Zoti i ka dhënë trevës së Mirditës, sipas Presidentit Begaj,  promovohen përmes bashkëpunimit.

“Pavarësisht se jeni të zgjedhur të opozitës, jeni bashki e Shqipërisë, bashki e qytetarëve. Për çdo nevojë, duhet që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të reflektohet ndaj problemeve që kanë”. Me këtë mesazh kundër ndasive partiake iu drejtua Presidenti Begaj përfaqësuesve të Bashkisë së Mirditës. Gjatë kësaj bisede, Kreu i Shtetit bëri bashkë socialistë e demokratë, pasi veç drejtuesve vendorë të opozitës, morën pjesë dhe deputetët Eduard Ndreca i PS-së dhe Elda Hoti e PD-së.

Presidenti Begaj vizitoi Pallatin e Kulturës, Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Bandës Frymore në Rrëshen, një muze unikal në Shqipëri. Ai, gjithashtu, zhvilloi një bisedë me gratë artizane të zonës, të cilave iu shprehu dëshirën për trashëgimin e traditës së veshjeve përmes kalimit të teknikave të dijebërjes te brezat e rinj.

Një tjetër qendër promovimi e vlerave të Mirditës është edhe Infokulla, e cila njeh vizitorët me pasuritë e zonës. Presidenti i përgëzoi kontribuuesit e kësaj qendre për angazhimin në ruajtjen dhe përhapjen e historisë dhe traditave ndër shqiptarë e të huaj.

Presidenti i Republikës e mbylli vizitën e tij në Mirditë me kishën monumentale e t’Shëlbuemit”, pikturën e së cilës ia dhuroi Papa Françeskut gjatë takimit në Vatikan disa ditë me parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme