Begaj takon kryeministrin kroat: Kroacia, shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë

Presidenti, Bajram Begaj, ka zhvilluar një drekë pune me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Pasi e uroi Kryeministrin për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, nënvizoi se Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë.
Duke iu referuar partneritetit strategjik midis dy vendeve, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik.
“Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive që ekzistojnë në këtë drejtim”- u shpreh Presidenti Begaj.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Plenkoviç e siguroi Presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.
Ndërsa në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu kontributin dhe mbështetjen e madhe që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
“Kroacia dhe Qeveria juaj kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe ju siguroj se shqiptarët janë mirënjohës për këtë mbështetje” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te ndikimi i këtij agresioni në rajonin e Evorpës Juglindore apo rreziku që kanoset nga interesi i palëve të treta jo miqësore për të nxitur trazira dhe për të dëmtuar stabilitetin e rajonit.
Presidenti, Bajram Begaj, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




