Begaj, von der Leyenit: BE të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i vendit Bajram Begaj i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që BE të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme në Presidencë, Begaj i ka kërkuar shefes së KE-së që të Evropa të mbajë qëndrim ndaj Serbisë duke marrë masa ndaj saj.

“Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim për të përshëndetur qëndrimet e Bashkimit Evropian për stabilizimin e paqes në rajon duke kërkuar që të ndëshkohet sulmi terrorist serb i 24 shtatorit ndaj një vendi sovran siç është Kosova dhe destabilizim të të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës pas takimit me von der Lejen.

Po sipas njoftimit të Presidencës bëhet e ditur se është diskutuar edhe mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, situatën e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rreth bashkëpunimit rajonal në optikën e Procesit të Berlinit

“Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”- nënvizoi Presidenti Begaj në këtë takim. 

Duke u ndalur në situatën kritike të sigurisë që po kalon Evropa dhe Ballkani Perëndimor, Presidenti Begaj e siguroi zonjën Von Der Leyen se “Shqipëria vazhdon të mbështesë e të jetë e linjëzuar me politikat  e jashtme  dhe ato të sigurisë së BE-së.” 

Duke e cilësuar si ngjarje historike mbajtjen e Samitit të liderve të Procesit të Berlinit për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor të martën në Tiranë, Presidenti Begaj u shpreh se është “besimplotë se ky samit do të nxisë marrëdhënie më të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se do të ndërtojë shinat e duhura për krijimin e një tregu ekonomik të zonës, shina që do zgjaten më pas drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme