Bejko me banorët e Zallbastarit: Do hapim 5 tregje në hyrje të Tiranës, zero taksë për turizmin malor

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko gjatë një takimi që ka mbajtur këtë të hënë (8 maj), me banorët e Zallbastarit, ka premtuar hapjen e 5 tregje në hyrje të kryeqytetit, ku prioritet do të jetë prodhimi vendas.

Po ashtu, Bejko premtoi edhe ndërtimin e 250 kilometër rrugë rurale për të bërë të mundur aksesin e fermerëve vendas në këto tregje.

“Angazhimi janë lidhur me prodhimet vendase të zonës suaj por edhe të gjithë fshatrave të Tiranë do jetë i tillë. Në hyrje të Tiranës do të ketë tregje ushqimore. Do jenë 5 tregje kryesore, në 5 arterie që të fusin në Tiranë. Për shembull nga zona juaj, meqë ju kaloni te rruga e Arbrit, mu në hyrje të Tiranës. Për ju s’do jetë shumë larg, të mos futeni në Trafikun e Tiranës, por edhe për qytetarët e Tiranës të mos dalin nga Tirana, të mos dalin nga Tirana dhe të blejnë ushqimet tuaja, se nuk e bëjnë këtë gjë. Ne do t’u ofrojmë prodhime tuaja të freskëta, bio qytetarëve të Tiranës me qëllim që ekonomia juaj shtëpiake të përmirësohet. Aty do të kemi edhe frigoriferët dhe do të magazinohen produktet tuaja me etiketën përkatëse, kur të vijë klienti që do ta blejë prodhimin, punonjësi i bashkisë që është atje do të argëtojë paratë dhe do të njoftoheni që të vini të merrni paratë tuaja. Ne e quajmë treg me kilometrin zero, se gjithë periferia ku gjendeni ju bashkë me bashkinë quhet zero km, 1 bashki”, tha ai.

Prioritet i Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Partisë Demokratike do të jetë edhe zhvillimi i turizmit. Bejko u tha banorëve se do të kenë zero taksa nëse zhvillojnë turizëm malor. Po ashtu ai tha se do të hiqet taksa e infrastrukturës shkollore, teksa theksoi se “do të përgjysmohen të gjitha taksat vendore”.

“Zhvillimi i agroindustrisë, por edhe i turizmit malor do të jetë prioritet. Turizmi s’do ketë asnjë taksë për të gjithë periudhën që do zhvillohet. Do kemi edhe subvencione për nxitjen e  zhvillimit të turizmit, sidomos turizmi i bujtinave, i aventurës e sporteve të ndryshme.

Taksa e infrastrukturë shkollore, taksa e infrastrukturës sportive që paguhet si në fshat si në qytet, si nga ata që kanë fëmijë, si nga ata që s’kanë fëmijë në shkolla, ne do ta heqim këtë, sepse është e tepërt. E ka kaluar afatin, e ka shtyrë me dy vite të tjera bashkia, me një vendim të Këshillit Bashkia, që nuk merret vesh si është bërë. Në këto kushte ne do ta heqim, se e paguan si qytetari edhe ai që ka biznes. Madje qytetari e paguam edhe si qytetar edhe si biznes. Po të ketë të njëjtin lokal në dy vende të ndryshme, e paguan për çdo lokal që ka. Do përgjysmojmë edhe taksat për pastrimin. Të gjitha tarifat për pastrimin do të përgjysmohen dhe kjo do të bëjë që të lirohet edhe më shumë barra e tatimpaguesve në bashkinë e Tiranës”, tha Bejko.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme