Belind Këlliçi në Shkozë: Prona e pronarëve nuk do të preket!

Kandidati i grupimit opozitar “Bashkë fitojmë” Belind Këlliçi u ka premtuar banorëve në Shkozë, një zonë informale në periferi të Tiranës, se do të ruajë banesat e tyre që parashikohet të prishen për t’u hapur rrugë projekteve në infrastrukturë.
“Unë ju jap fjalën që banesa e asnjë qytetari nuk do të preket pas 14 majit nga Belind Këlliçi. Prona është e shenjtë, unë jam i djathtë, unë besoj te prona, te kombi, te familja, padiskutim prona është në themelin e shoqërisë sonë. Ju ato shtëpi që keni, i keni kursimet e një jete” tha zoti Këlliçi.
Teksa bashkëbisedonte me qindra banorë të Shkozës, Belind Këlliçi pati një ftesë edhe për socialistët, që pritet të votojnë Erion Veliajn.
“ Unë jam një djal i ri dhe I përkas një gjenerate tjetër, i përkas një brezi të ri, unë nuk i ndaj qytetarët në të djathtë e të majtë në demokratë e socialistë, në qytetarë me parti e pa parti. Ne jemi shqiptarë, ne jemi banorë të Tiranës, dhe kudo banorët e Tiranës, në çdo njësi, në qytet e në fshat, duhet të marrin shërbime të barabarta” u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi.

Në zonën e Shkozës që njihet për varfërinë e saj, zoti Këlliçi u bëri përsëri thirrje qytetarëve të refuzojnë shitjen e votës, pasi me atë votë vendoset e ardhmja e qytetarëve për katër vitetet e ardhshme.
“ Refuzoni 50 mijë lekëshin, refuzoni 100 mijë lekëshin se tallen me ju na vjedhin të ardhmen. Refuzoni të shisni të ardhmen dhe dinjitetin. Ju lutem administratës së bashkisë Tiranë, refuzoni presionin që ju bëhet, ndëshkojeni me votë. Jeni vetëm ju dhe Zoti te kutia e votimit, te fleta e votimit” -tha Këlliçi.
Mbështetjen që artistë të njohur i kanë dhënë kryetari aktual Erion Veliaj, Belind Këlliçi e quajti përdorimit të artistëve për qëllime elektorale.
“ Vipat e mi jeni ju, janë banorët e Tiranës, janë banorët e Shkozës, ishin sot në mëngjes banorët e Laprakës, vipat e mi janë këta fëmijë, janë e ardhmja, janë këta qytetarë. Unë llogarinë e kam me qytetarët, nuk e kam as me oligarkët” -u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e qytetarëve në 14 maj, duke i ftuar të gjithë që të shpërndajnë programin e tij të miqtë dhe të afërmit, me qëllim që të dalin në votime dhe të sjellin ndryshimin.
/ rtsh. al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




