Berisha: Garda ishte e armatosur. Personi që qëndronte pas Salianjit kishte revole nën sqetull

Politikë | 3 vite më parë

Pas mbledhjes së grupit të tij, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në sallën e Parlamentit në seancën e sotme plenare, një prej gardistëve ka qenë i armatosur. Ai u shpreh se po ashtu, në sallë ka qenë dhe një Prokurorë i SPAK-ut.

Berisha e akuzoi SPAK-un si një organizatë kriminale e cila sipas tij, komandohet nga Kryeministri Edi Rama.

“Personi që qëndronte prapa zotit Ervin Salianji, ka qenë i armatosur me revole të fshehur ndër sqetull. Ky përbën një akt të paprecedent në historinë e këtij parlamenti.

Të tjerë persona të armatosur janë parë përreth parlamentit, por në sallë kjo nuk ka ndodhur në memorien time, asnjëherë. Këtu tek zyra e kryetares ishin pozicionuar, ju siguroj ju, më shumë roje se kur qëndronte Enver Hoxha në atë zyrë.

I gjithë ky qëndrim përcaktohet nga refuzimi për t’u hetuar nga komisioni hetimor parlamentar siç e përcakton ligji. Por ne nuk do pranojmë mohimin e këtyre të drejtave. Ne nuk mund të themi se në zbatim të këtyre të drejtave do hetojmë Subashin në Fier e të mos hetojmë dot Ramën e ministrat e tij. Subashi është i implikuar thellë, por ne duam të zbatohet Kushtetuta.

A e dini se sot SKAP-i është në parlament? S’ka asnjë vepër penal. SKAP-i një organizatë e vërtetë kriminale që komandohet nga Rama është në sallën e Parlamentit.

Është një vegël e verbër e Edi Ramës. Kemi prova se garda ishte e armatosur sepse personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin e detyroi këtë ta shtynte dhe ai kishte armë nën xhiletin. Është SKAP-i brenda. Ka një prokuror të SKAP-it në sallë. U mendua se ishte policia fillimisht”, u shpreh Berisha.

Ky i fundit ftoi popullin opozitar që t’iu bashkohet në betejën pa kthim. Berisha theksoi se një reagim mbarëpopullor, do të jetë finalizim i përpjekjes së opozitës.

“Ju garantoj se këtë betejë pa kthim, nuk mund të ndalojë deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetues e të deputetëve në parlament. Ftoj popullin opozitar ta ndjekë këtë betejë dhe natyrisht deputetët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me popullin opozitar. Një reagim mbarëpopullor do jetë finalizim i kësaj përpjekje”, tha Berisha.

Reagimi i Gardës së Republikës

Lidhur me pretendimin e disa deputetëve të opozitës se punonjës të Gardës në seancën parlamentare kanë qenë me armë në sallë, Garda e Republikës sqaron se:

Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë.

Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet. 

Garda e Republikës mbetet e vendosur të ushtrojë gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e ngarkuara, në funksion të garantimit të ligjit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme