Chelsea shtang Liverpool, Everton e Tottenham bëjnë detyrën

Angli | 6 vite më parë

Shpresat e Liverpoolit pësuan një tjetër goditje të madhe, pikërisht nga një rival si Chelsea që ka vazhduar serinë e fitoreve nën drejtimin e Thomas Tuchel edhe në Anfield me një sukses 1-0. Blutë dukeshin më kërcënues gjatë gjithë pjesës së parë të konkretizuar në fillim me Timo Werner, por që u anullua nga VAR për një pozicion jashtë loje, para se Mason Mount të shënonte një gol të shkëlqyer tre minuta para intervalit.

Liverpool edhe një herë i mungoi kreativiteti në sulm, por një befasi ende më e madhe ishte të shihje Mo Salah, golashënuesi kryesor i Premier League, të ulej në stol pas një ore lojë. Egjiptiani u shfaq i zhgënjyer në stol, ndërsa ekipi i tij po përpiqej të gjente një mënyrë për tu rikthyer në garë, por pa rezultat.

Chelsea mjaft mbresëlënës, i pamposhtur në 10 ndeshje nën drejtimin e  Tuchel, ngjitet në vendin e katërt me Liverpool me katër pikë më pak, në vendin e shtatë. Kampionët e Jurgen Klopp vështirë se mund të përballojnë ndonjë gabim tjetër, ndërsa në fundjavë do të përballen me Fulham. Chelsea do të presë në shtëpi Evertonin e vendosur në vendin e pestë në një tjetër betejë për vendet Champions të hënën në mbrëmje.

Everton është i etur të kualifikohet në Champions League dhe objektivi është gjithashtu i arritshëm përmes ndeshjeve të komplikuara, të tilla si udhëtimi i vështirë në West Bromwich Albion. Pjesa e parë në The Haëthrons nuk jep emocione të mëdha, veçanërisht sepse WBA është mbyllur në mbrojtje duke mos lënë hapësira për ekipin e Ancelotti. Në pjesën e dytë trajneri italian ndryshon formën dhe fut Bernardin në kërkim të një guri themeli për të zbardhur problemin, por avantazhi vjen pas 20 minutash nga një situatë joaktive. Në zhvillimin e një goditje nga këndi, Sigurdsson jep një krosim të përsosur për Richarlison, i cili si zakonisht nuk fal. Në këtë pikë loja ndryshon dhe WBA përpiqet të shtyjë përpara në kërkim të një barazimi, por goli i Diagne në minutën e 93 anulohet për shkak të një pozicioni jashtë loje dhe në fund humbja kthehet tek Allardyce pas tre rezultateve të suksesshme radhazi.

Në ndeshjen Fulham-Tottenham, hendeku teknik midis dy ekipeve në fushë është i qartë, por në minutën e 19-të vendasit i komplikojnë gjërat vetë, sepse Adarabioyo bëhet protagonist i një devijimi fatkeq që kthehet në autogol, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Mourinho. Në pjesën e dytë, vendasit gjejnë rrugën e rrjetës me Maja, por gjyqtari e zhvlerëson për një prekje të topit me dorë, të sinjalizuar nga Var. Spurs arrijnë të ruajnë deri në fund avantazhin dhe kthehen në shtëpi me tri pikë. Një fitore në transfertë, që mungonte tri ndeshjesh. Fulham, nga ana tjetër, i është ndërprerë seria prej katër ndeshjesh pa humbje radhazi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme