Debati për përdorimin e shqipes në Maqedoninë e Veriut, Rama: S’është çështje e Gjykatës Kushtetuese

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar lidhur me debatin në Maqedoninë e Veriut, për përdorimin e gjuhës shqipe. I pranishëm në mbrëmjen e organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, Rama tha se atë që gjuha shqipe “e ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut” nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar duke ushqyer një frymë bashkëjetese dhe duke mbajtur bashkë dy popujt shtetformues.

“Tema e gjuhës shqipe është në një kontest të pakuptueshëm dhe pashpjegueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. Unë nuk them se udhëheqësit që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja e ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut, nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese, as e ligjeve, nuk një çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme sepse zgjidhen një herë në 4 vite dhe herë janë në një anë e herë nga ana tjetër, herë kanë shumë gjëra në dorë e herë nuk kanë asgjë në dorë.

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut, është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve, në një sens si ai që Arbën Xhaferi e tregon si ëndrrën e tij më të madhe. Në sensin e integrimit në këtë rast, të dy popujve shtetformues në sistemin e vlerave perëndimore politike etike dhe kulturore”, tha Rama.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit të shumëpërfolur për gjuhët ditën e nesërme (11 dhjetor).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme