Dëbora zbardh disa qarqe të vendit, probleme në Kukës, Korçë, Dibër, rrugët e pakalueshme, 110 borëpastruese në terren

Në disa qarqe në vendin tonë kanë nisur reshjet e dëborës të cilat kanë vështirësuar jo vetëm qarkullimin rrugor, por edhe po ndikojnë edhe në aspektin social. Nisur nga kjo situatë, ministria e Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës bënë thirrje për kujdes të shtuar, duke nënvizuar se të gjitha strukturat janë në terren me qëllim sigurimin e lëvizjeve të mjeteve, si dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat ku ajo mungon.
Bëhet e ditur se në terren janë angazhuar 110 borëpastruese sëbashku me 1100 punonjës, plus forcave të policisë.
Qarku Dibër
Në qarkun e Dibrës reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë edhe probleme. Ndërsa për momentin Rruga e Arbërit dhe ato të Malësisë së Krujës janë të bllokuara. Bëhet fjalë për akset rrugore: Cudhi Kamp-Qafshtamë dhe Bruzë Mal-Shkretë.
Reshjet e dëborës kanë bërë të pakalueshme edhe aksin rrugor Peshkopi- Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë. Qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor Tiranë- Peshkopi po bëhet nga rruga e vjetër Klos-Burrel- Ulëz. Trashësia e borës në zonën e Dibrës ka kaluar mbi 20 centimetër, ndaj këshillohet që të bëhet kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit, si dhe zinxhirët.
Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, aksi rrugor bypass-Qafë Murrizë, aktualisht është bërë i pakalueshëm. Policia e Qarkut Dibër njofton se, firma e mirëmbajtjes po punon për pastrimin e plotë të borës nga rruga dhe deri në përfundim të punës së tyre, qarkullimi i mjeteve do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
“Policia Rrugore e Dibrës iu jep ndihmë dy fëmijëve dhe prindërve të tyre, që ishin bllokuar në automjet, dhe i transporton me makinën e një punonjësi policie. Shërbimet e Policisë Rrugore të pozicionuar në bypass në Qafë Murrizë, gjatë kontakteve me drejtuesit e automjeteve që janë në pritje të hapjes së këtij aksi rrugor, pasi vijon ende të jetë i bllokuar si pasojë e motit të keq me reshje të dendura të dëborës, kanë marrë informacion se në një automjet ndodheshin të bllokuar dy fëmijë. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë marrë masa që me automjete të kalueshmërisë së lartë, të bëjnë evakuimin e pasagjerëve që ndodhen në automjete ne bypass Qafë Murrizë, për t’i nxjerrë nga zona ku kanë mbetur të bllokuar dhe për t’i transportuar në destinacion, në Klos, Bulqizë. Menjëherë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar te automjeti, ku kanë marrë fëmijët dhe prindërit e tyre. Më pas, me një automjet privat të një punonjësi të Policisë kanë bërë transportimin e tyre në destinacion. Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, bypass në Qafë Murrizë vijon të jetë i bllokuar, ndërkohë që borëpastrueset vijojnë punën pandërprerë, për të bërë të mundur hapjen e rrugës. Policia e Dibrës përgjatë ditës së sotme ka apeluar që drejtuesit e automjeteve të përdorin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Shërbimet e Policisë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ndodhen në krye të detyrës, për t’iu dhënë ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, dhe apelojnë edhe një herë për shmangie të qarkullimit në rrugën e Arbrit, deri sa të ketë një njoftim zyrtar për hapjen e plotë të këtij aksi rrugor. Gjithashtu, nisur nga fakti se në të gjitha akset rrugore ka prezencë të madhe të lagështirës dhe kufizimi i shikueshmërisë për shkak të errësirës e rrit rrezikun për përfshirje në ngjarje rrugore, Policia Rrugore apelon që dejtuesit e automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën dhe në rast nevoje të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.”, njofton policia.
Qarku Korçë
Edhe i gjithë territori i qarkut Korçë është i përfshirë nga reshjet e dëborës. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme kanë shtuar prezencën në të gjitha akset rrugore. Firmat kontraktore janë duke punuar me borëpastrueset dhe duke hedhur kripë. Deri tani, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa zinxhirë, perveç aksit rrugor që të çon në Dardhë, ku është e detyrueshme vendosja e zinxhirëve. Policia Rrugore apelon për rritje të kujdesit gjatë drejtimit të mjeteve, në këto akse rrugore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se edhe në rrugën e Dardhës kanë filluar reshje dëbore.
Qarku i Kukësit
Në Qarkun e Kukësit dëbora ka kaluar 30 cm. Edhe pse 6 borëpastruese u vunë në lëvizje duke pastruar dëborën nga rruga, intensiteti i reshjeve, krijoi problematika ne Rrugën e Kombit në segmentin Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit.
Kamionë e mjete të vogla për shkak se ishin të pa përgatitur përballë motit të keq, u bllokuan në rrugë. Sipas policisë, probleme u krijuan edhe në zona të tjera të qarkut të Kukësit, veçanërisht në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë e Fush-Arrezin, rrugët e bashkisë Tropojë e Has.
“Situata në Qarkun Kukës deri në orën 18:40 datë 25.11.2023 është si më poshtë: I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore dhe erë e fortë. Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se: • Rrugët nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë. Nga subjektet kontraktore po punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë kontratë. Si rezultat i erës së fortë ka patur bllokime të përkohshme në disa segmente, por është ndërhyrë në kohë nga kontraktorët dhe janë bërë funksionale.
Bashkia Kukës
Rrugët rurale janë të kalueshme, përveç rrugëve të Nj.Ad Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis.
Bashkia Has
Rrugët janë të kalueshme.
Rezervuari në lagjen Pla në Krumë, si pasojë e prurjeve të medha ka patur probleme, por si rezultat i ndërhyrjes nga bashkia është normalizuar. Nga bashkia Tropojë nuk kemi raportime për ndonjë problematikë. Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç Shishtavec, Topojan, Zapod, Bicaj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arren bashkia Kukës, Fajza bashkia Has dhe Tropojë e vjetër dhe disa fshatra Bytyq bashkia Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.”, thuhet në njoftim.
Qarku Elbasan
Shërbimet e Policisë kanë rritur prezencën në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit të keq. Aktualisht në aksin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë kanë nisur reshjet e dëborës, deri në këto momente ky aks është i kalueshëm.
Kontraktorët jane në terren pa ndërprerje për pastrimin e rrugëve nga bora, nga rënia e materialeve në zonat me intensitet shiu dhe për shpërndarjen e kripës.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimëror, të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se filluan reshjet e dëborës edhe në Qafë Thanë. Sipas ARRSH-së, grupet e punës dhe mjetet borëpastruese janë në terren duke bërë pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.
Balla: Policia e Shtetit apelon për vendosjen e zinxhirëve
Nisur nga situata edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nëpërmjet një postimi në Facebook, informon se për shkak të motit të keq me reshje të dendura dëbore, ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore në qarqet Kukës, Shkodër dhe Dibër.
“Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme kanë dhënë ndihmë në 21 raste ndaj drejtuesve të automjeteve të bllokuar. Policia e Shtetit apelon për vendosjen e zinxhirëve dhe për zbatim të udhëzimeve të dhëna në njoftimet publike, për rrugët e bllokuara apo ato që paraqesin vështirësi. Për çdo informacion apo nevojë për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112.”, shkruan Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



