Delvinë, fshati Bamatat me perspektivë zhvillimin e agroturizmit

Sociale | 6 vite më parë

Fshati Bamatat është në bashkinë e Delvinës. Nga veriu kufizohet me fshatin Bajkaj, nga jugu me Kranenë dhe Kostarin, nga lindja me Vllahatin, nga perëndimi me Stjarin dhe lumin e Kalasës. Fshati është banuar me shumicë shqiptare myslimanë dhe ka dy familje ortodokse greqishtfolëse. Flitet se emri Bamatat këtij fshati i ka mbetur nga Baba Matua, njeri i shenjtë që është varrosur në këtë fshat. Edhe sot banorët e këtij fshati duke besuar në shenjtërinë e tij, shkojnë te varri në turbe ku është varrosur dhe në kohë nate ndezin atje qirinj apo kandilë. Sipas banorëve ky është një fshat rreth 600 vjeçar me banorë që kanë zbritur nga zona e Kurveleshit në ata vite dhe më pas kanë zgjedhur të qëndrojnë aty për të vazhduar jetën. Dikur me rreth 600 banorë të cilët merreshin me kooperativën, blegtorinë e bujqësinë. 

“Fshati ynë është rreth 500 me 600 vjeçar me të ardhur nga zona e Kurveleshit siç vinin më përpara që shtegtonin me bagëti dhe përfundimisht qëndruan këtu. Filluan fiset me rradhë që janë nga zona e Kurveleshit dhe më pas u organizua si një fshat i vogël. Në vitet 44′ këtu ishin rreth 40 shtëpi e gradualisht sot kanë vajtur rreth 200 familje. Pak a shumë vendi ynë është vend bujqësor i marrë me frutikulturën më shumë dhe me pak bujqësi dhe pak blegtori. Me sa kemi dëgjuar nga të parët, të parët e krijuan fshatin këtu sepse qe kodër dhe vinin me bagëti këtu . E blenë vendin dhe tokat këtu sepse këto toka kanë qenë të delvinjotëve, kanë qenë toka të agallarëve të Delvinës .Kohën e lulëzimit e ka patur në kohën e monizmit, njerëzit vinin nga një kohë shumë e prapambetur dhe në kohën e Enverit u organizua çdo gje dhe njerëzit e admironin. Para 90′ kanë qenë diku tek 600 banorë e tani kanë ngelur tek 300 banorë . Këtu kanë ngelur pak të rinj, shumica janë në emigrim në greqi. Fshati mbahet me blegtorinë dhe bujqësinë akoma edhe emigrantët diçka bien normale. Shtëpitë ata që kanë ikur i kanë mirëmbajtur, vijnë njëherë në vit, në gusht kryesisht. Duhet pak zhvillim, përfitojmë nga Saranda për treg“, shprehet kryeplaku i fshatit Hasim Kapllani.

Tani me 300 frymë që vazhdojnë akoma të mbajnë gjallë traditat e hershme të fshatit si blegtoria e bujqësia, banorët e fshatit Bamatat thonë se të rinjtë janë larguar në mërgim por ka edhe nga ata që nuk kanë ikur por kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të investojnë në fshatin e tyre. 

Pranë rrugës që të çon drejt Delvinës me perspektivë bujqësinë e blegtorinë, banorët e këtij fshati i kanë sytë edhe në drejtim të zhvillimit të agroturizmit. 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme