Dëmet në Kuvend, 4 deputetë demokratë do paguajnë rreth 765 mijë lekë deri më 20 nëntor

Politikë | 2 vite më parë

Kaosi i 30 shtatorit në Kuvendin e Shqipërisë, që rezultoi në djegien e karrigeve të Parlamentit, thyerjen e foltores dhe dëmtimin e mikrofonëve, tapeteve e ekraneve nga ana e opozitës, është vlerësuar me një kosto financiare prej 764,922 mijë lekëve të rinj.

Bilanci është bërë i ditur nga Grupi i Kontrollit dhe auditi i ngritur nga Kuvendi.

Sipas kësaj fature financiare, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, do të duhet të paguajë 209 mijë lekë; deputetët Flamur Noka dhe Bledion Nallbati do të paguajnë nga 187 mijë lekë; ndërsa deputetja Elda Hoti do të paguajë 180 mijë lekë.

Nëse 4 deputetët e Partisë Demokratike nuk do të paguajnë dëmin e shkaktuar, do u mbahet nga paga mujore. Afati përfundimtar për shlyerjen e dëmeve të shkaktuara është data 20 nëntor dhe pas këtij afati, zhdëmtimi do të bëhet me ndalesë nga paga, në dy këste.

Protesta e opozitës në Kuvend erdhi pas arrestimit të ish-deputetit Ervin Salinanji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Pas kaosit në Kuvend nga ana e demokratëve, Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë nga seancat plenare Bardhin, Nokën dhe Nallbatin.

Po ashtu u vendos përjashtimi me 10 ditë për Edi Palokën, ndërsa u përjashtuan me 40 ditë 20 deputetët e tjerë, konkretisht: Saimir Korreshit, Lefter Geshtenjës, Luan Baçit, Dashnor Sulës, Agron Gjekmarkajt, Dhurata Çupit, Xhelal Mziut, Ina Zhupës, Zheni Gjergjit, Helidon Bushatit, Lindita Metaliajt, Ramadan Likës, Asllan Dogjanit, Qani Xhafës, Flamur Hoxhës, Isuf Çelës, Kastriot Piroliy, Lodovik Hasanit, Kasem Mahmutajt dhe Edmond Spaho.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme