Deputeti Vangjel Dule: Opozita e limituar në misionin e saj politik. Beleri i burgosur politik

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar sot se opozita në Parlament është në të drejtën e saj për të përmbushur misionin politik dhe legjislativë.
I pranishëm në emisionin “Ekspres” në RTSH, z. Dule u shpreh se situata e tensionuar në Parlament vjen si rezultat e kufizimit të hapësirave nga ana e mazhorancës për opozitën.
“Ngjarjet nuk filluan ditën e djeshme, janë dy-tre seanca plenare që jeta parlamentare është teje e tensionuar. Opozita është e limituar në misionin e vetë, hapësirat kanë ardhur gjithmonë duke u ngushtuar, saqë është në limite të përmbushjes të misionit të saj politik dhe legjislativ,“, u shpreh z. Dule.
Sipas tij, dhuna në çdo drejtim është e papranueshme, sepse ka dhunë verbale, ka dhunë fizike, ka dhunë psikologjike por ka dhe dhunë politike. Të gjitha në mënyrë kategorike duhen dënuar dhe duhen ndëshkuar.
“Duhet të kemi parasysh që edhe shoqëria është teje e ngarkuar politikisht, varfëria është ulur në gjunjë në çdo familje. Qeveria po nëpërkëmb të drejtat, duke filluar nga opozita dhe deri tek ata që përfaqëson opozita. Ndaj duhet të jemi të vëmendshëm duke u rikthyer në normat bazike të “lojës” politike,” theksoi z. Dule.
I pyetur për çështjen Beleri, Kryetari i PBDNJ-së, u shpreh se nuk është kjo çështje që e ka ndarë me Ramën, as Berisha, por janë të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.
“Çështja që më ndan me Ramën nuk është as Berisha dhe as Beleri. Është shteti i së drejtës, është demokracia funksionale, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve,” tha z. Dule.
Sipas tij, Beleri është një i burgosur politik, sepse thuhet që është kapur në flagrancë por në momentet e shoqërimit ai ka qenë me dy të afërmit e tij.
“Mungon fakti penal, kujt i bleu votën? Çfarë dha në këmbim të blerjes së votës?” përfundoi z. Dule.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




