Deputetja Vasilika Hysi, një figurë e njohur e PS tërhiqet nga gara për deputete

Deputetja e njohur socialiste Vasilika Hysi nuk do të garojë në 25 prill për një mandat tjetër si deputete nën siglën e Partisë Socialiste. Vendimin e saj e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një aktivitet mbi Reformën në Drejtësi. “Jam i emocionuar pasi Vasilika që prej 12 vitesh ka shërbyer me shumë përkushtim në të gjitha proceset e ligjbërjes më ka bërë me dije se ka vendosur t’ju hapë rrugën të rinjve” tha zoti Rama.
Për zonjën Hysi ishte një kënaqësi që në këto 12 vite, një mandat në opozitë dhe dy mandate në qeverisje “mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që e kemi pasur të gjithë bashkë reformën në drejtësi, të pronës, administratën publike”. ““Sot jam shumë krenare që mundëm t’ja dalim sikurse parashikuam se kësaj reforme do t’i vendoseshin shumë shkopinj nën rrota dhe betejën të gjithë e kuptuam se nuk do të ishte një betejë e lehtë, por ia dolëm. Ia dolëm se kjo reformë nuk u krye nga ne deputetë e PS, por u krye falë vullneti tonë nga shumë ekspertë, 140 profesionistë ekspert nga të gjitha universitetet, punonjës të praktikës, gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, media, shoqëria civile dhe për këtë do të thoja se për mua ka qenë një universitet i dytë” tha ajo.
Vasilika Hysi, me profesion jusriste, është deputete në Kuvendin e Shqipërisë, për qarkun e Tiranës. Ajo drejton Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




