Dogjani në SPAK: U thirra për shtëpinë 100 metra², Rama-Veliaj organizuan kurthin

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, është paraqitur në SPAK për të dhënë sqarime mbi kallëzimin ndaj tij “për fshehje pasurie”.
Dogjani hodhi akuza se kallëzimi ndaj tij është bërë për arsye politike dhe se pas çështjes qëndron kryeministri Edi Rama dhe një deputet socialist, ky i fundit me lidhje farefisnore me një ndërtues.
Mora vesh që ky mashtruesi që ka zaptuar tokën tonë publike, paska një kushëri deputet dhe Rama me Veliajn e organizojnë kurthin dhe përmes këtij deputetit i thotë ‘bëji kallëzim Asllanit për pasuri’. Për këtë u thirra sot në SPAK. Për shtëpinë 100 metra katrorë, që e kam marrë në vitin 2006. Ilirjan Ç. e ka bërë kallëzimin. Unë pres drejtësi, zbatim të procedurave. Nuk jam thirrur për 21 Janarin. Nëse më thërrasin do të vij”, deklaroi Dogjani.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Dogjani sqaroi konkretisht edhe arsyet për kallëzimin, që sipas tij lidhet me denoncimin e bërë nga vetë ai në një rast për grabitjen e pronës publike.
“Rama në vend të sulë policinë ndaj krimit, po sul strukturat e shtetit, individët e lidhur me të ndaj deputetëve të opozitës dhe ndaj medies. Unë jam te SPAK për një denoncim që kam bërë që s’kam pranuar të hesht me grabitjen e pronës publike në Tiranë.
Bëhet fjalë për një pronë publike sa kalon rrugën, është pallat i ndërtuar në 2006. Zaptuesi në vend të legalizonte pallatin për 20 vite, ka zaptuar një pronë dhe e ka legalizuar në mënyrë të kundra ligjshme ish-kopshtin publik nr. 33 bashkë me 210 metra tokë. Ky zaptues, ka zaptuar dhe pjesën shërbyese të pallatit, planifikuar për lulishte.
Ne iu drejtuam me kallëzim penal SPAK. Kemi bërë ankesa në prokurori, te kryetari i bashkisë.
Kjo tokë e zaptuar ka qenë tokë me pronarë, iu është njohur pronarëve por nuk iu është kthyer sepse do bëhej kopsht dhe pjesa tjetër lulishte. Meqë ne bëmë gjithë këto ankesa, Kadastra anuloi legalizimin sepse ishte bërë në mënyrë të kundra ligjshme duke marrë masa disiplinore ndaj punonjësve të Kadastrës sepse një pronë publike nuk mund të tjetërsohej.
Kallëzimi i SPAK kaloi te Prokuroria e Tiranës. Gjyqtarja nuk e pranoi praktikën e Kadastrës dhe në këto kushte, gjyqi vazhdon në Apel. Pronarët kanë bërë dhe një padi civile për ta kthyer pronën në emrin e tyre. Meqë nuk e pranoi këtë vendim të Kadastrës, unë kontaktova me Ministrin e BRENDSHËM, Kryetarin e Bashkisë dhe me Kryeministrin Edi Rama. Ka ardhur ministri Balla dhe tha ke të drejtë, thirri dhe një kryetar të krimit ekonomik”, përfundon ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




