Dopieta e Varane rindez Realin dhe shpëton Zidanen

Në Estadio El Alcoraz në Huesca, Real Madrid vuajti përballë skuadrës që qëndron në fund të tabelës, por arriti një sukses të rëndësishëm, me përmbysje, që i lejoi të mbante vendin e dytë, si dhe ta bënte Zidane të merrte frymë i lehtësuar.
Vendasit morën epërsinë në minutën e 48 me Galan. Blancos arritën të reagojnë dhe vendosën barazpeshën me Varane (55 ‘) para se ky i fundit të vuloste 1-2 në 84’.
Një ndeshje aspak e lehtë për madrilenët, pavarësisht pozicionit që ka kundërshtari në tabelën e klasifikimit. Vendasit u treguan të rrezikshëm që në minutat e para me Mir-Okazaki. Madrilenët u treguan të rrezikshëm vetëm në fund të pjesës së parë me Benzema.
Fillimi i pjesës së dytë ka sjellë dhe golin e vendasve me autor Galan, i cili godet saktësisht nga 16 metra, 1-0. Mir kishte mundësinë për të dyfishuar me një gjuajtje fluturimthi, por u ndal nga Traversa.
Madrilenët arritën të barazojnë me shumë fat në minutën e 55-të me Varane. Mir nga njëra anë dhe Benzema(dy herë) nga ana tjetër kanë mundësi të mira për të shënuar, por janë ndalur nga portierët respektivë.
Gjashtë minuta para fundit është edhe njëherë Varane që shënon, duke i dhënë tri pikë skuadrës së Realit, njëkohësisht dhe frymëmarrje trajnerit Zidane, të mbuluar me polemika kohët e fundit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




