Dosja Xibraka, Bardhi nuk paraqitet nesër në SPAK, shkak një vizitë zyrtare në Bundestag

Gazment Bardhi, nuk do të paraqitet nesër në SPAK, për të dhënë shpjegimi si person në dijeni për dosjen Xibraka. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëhet e ditur se kryetari i grupit parlamentar të PD-së, e ka të pamundur për tu paraqitur në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag.
“Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dosja “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.
SPAK urdhëroi deputetin e PD-së, Gazment Bardhi që të paraqitet para Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si person që ka dijeni lidhur me akuzat që ai ka bërë në adresë të Olsi Ramës, si të përfshirë në trafik droge lidhur me ngjarjen e disa viteve në Xibrakë.
Vendimi për të urdhëruar deputetin Bardhi që të paraqitet në SPAK erdhi pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda, Tiranë.
“Në bazë të nenit 312 të K.Pr.Penale, për nevoja të procedimit penal Nr. 88, të vitit 2024, urdhëroj paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, të Gazment Bardhit me adresë të punës “Deputet pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, pasi është person që ka dijeni për rrethana të dobishme për hetimin. Shtetasi Gazment Bardhi të paraqitet para Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në SPAK në dt.15.05.2024, ditën e mërkurë, ora 10:00. (me vete të ketë dokument identifikimi), me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr.88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr.335/1, të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda, Tiranë“, thuhej në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




