DPT: Rritje rekord e të ardhurave në 2 mujorin e parë të vitit 2024

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur të martën se ka arritur rezultat rekord në realizimin e të ardhurave, me një rritje prej 21 % gjatë 2-mujorit të parë të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas një informacioni të publikuar në rrjetet sociale, bëhet e ditur se të ardhurat e mbledhura në buxhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë 2-mujorit të këtij viti arritën 22.7 miliardë lekë, ose 21 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Administrata Tatimore informon se rritja rekord e të ardhurave është shënuar në të gjithë zërat, pavarësisht se kontrollet në terren janë ulur në nivel historik, çka tregon konsolidim të sistemit në realizimin e treguesve të tij.
“Konkretisht, të ardhurat për muajin shkurt 2024 janë realizuar 24% ose 5.65 miliard lekë më shumë se shkurt 2023. Ndërsa krahasuar me 2-mujorin e vitit 2023, këtë 2-mujor 11.4 miliardë lekë ose 21 % më shumë”, njofton DPT në rrjetet sociale.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




