Dy projekte bashkëpunimi me Azerbajxhanin,Balluku: Së shpejti linjë ajrore direkte

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë punimeve të  Kuvendit, prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit”.

Në fjalës e saj, Balluku tha se, “marrëveshja për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona është hapi i radhës që synon të thellojë këtë marrëdhënie, që pavarësisht shumë kilometrave larg nga ana tjetër gjejmë mënyrën për të ndërtuar ura të forta dhe padyshim një bashkëpunim largpamës”.

“Hapja e ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri është një vendim i mirëpritur dhe një dëshmi e synimeve serioze të Bakusë në lidhje me partneritetin me Tiranën dhe që do të rrisë më tej bashkëpunimin tonë dhe do të sigurojë një urë të shpejtë dhe efikase komunikimi mes nesh”, u shpreh Balluku.

Numri dy i qeverisë. Znj. Balluku theksoi se, “në fushën e energjisë kemi tashmë një urë të ngritur bashkëpunimi. Një bashkëpunim të plotë, pasi Shqipëria prej vitesh së bashku me Azerbajxhanin është pjesë e atij që natyrshëm quhet korridori jugor i gazit që nis në Azerbajxhan dhe kalon përmes Shqipërisë për të shpërndarë më pas gazin natyror në të gjithë Europën”.

Marrëveshja e re, u shpreh Balluku, “parashikon shtrirjen e bashkëpunimit dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si turizmi bujqësia, investimet dhe padyshim arsimi dhe kultura, ku Azerbajxhani në vitet e fundit në fushën e arsimit ka shkëlqyer edhe përmes paketave incentivuese për të rinjtë, të cilët studiojnë në vende të ndryshme të botës dhe më pas kthehen me ekspertizën e tyre në Azerbajxhan”

“Të dy vendet dëshirojnë të stimulojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve dhe të inkurajojnë kontaktet dhe shkëmbimet midis ministrive dhe agjencive tona përkatëse, Dhomave të Tregtisë, organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit, misionet dhe takimet bilaterale”, tha Balluku.

“Jemi shumë të prirur për të pritur turistët azerbajxhanas në Shqipëri, por edhe për të rritur fluksin e shqiptarëve që vizitojnë vendin mik. Për këtë arsye kemi diskutuar gjerësisht me Ministrinë e Transportit dhe me Autoritetin e Aviacionit Civil për vendosjen e një linje direkt mes Bakusë dhe Tiranës në muajt në vazhdim”, theksoi Balluku.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme