Erzeni, Bubeqi: Dinamo tregoi mendjemadhësi

Surpriza e madhe këtë javë në Kategorinë e Parë, padyshim që ishte fitorja e Erzenit përballë Dinamos, e vendit të fundit me vendin e parë, me rezultatin 2-1. Trajneri i skuadrës shijakase, Dorjan Bubeqi, i ftuar në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, ka vënë theksin te shkaqet që sollën suksesin e të besuarve të tij.
“Kisha menduar se mund të shkonim deri te barazimi dhe do isha i kënaqur. Por besimin ma shtuan drejtuesit dhe lojtarët e Dinamos, sepse po dëgjoja para ndeshjes teksa thonin hajde ta mbarojmë shpejtë këtë ndeshje, sepse kemi punë. Nuk mund ta kalosh kaq kollaj Erzenin, sepse është një ekip elitar në këtë kategori dhe ka një emër të madh në futboll”.
“Duke parë situatën, lojtarët që kemi afruar në merkaton e janarit, medoj se ekipi do ketë ecuri. Por, e thashë edhe në fillim, nuk e kisha menduar se mund të mernim tri pikë, duke parë dhe pozicioni që ka Dinamo. E lexuam shumë shpejt lojën e kundërshtarit, bllokuam mesin e fushës dhe e detyruam të luante me topa të gjatë. Përdorëm kundërsulmin dhe krijuam raste, përveç golave që shënuam. Gabuam në fund, duke krijuar ankth, por e rëndësishme është që fituam”.
“Nisja, duke u ndikuar dhe nga ana financiare, nuk ka qënë shumë e mirë. Meduam të ndërtojmë një ekip, që të jetë pretendent për katër vendet e para. Tani mendoj se e kemi kaluar atë periudhën e vështirë dhe duke parë dhe blerjet që kemi bërë. Kishim mundësinë të mernim dhe lojtarë Superlige, por morëm lojtarë që e njohin mirë Kategorinë e Parë”.
“Do ua komunikoj edhe lojtarëve të mi: medjemadhësinë që Dinamo tregoi ndaj nesh, nuk duhet ta tregojmë ne ndaj Orikumit në ndeshjen e radhës. Nuk besoj se do jetë kjo Dinamo dhe në vazhdimësi, ishte një hap i gabuar i tyre por dhe një meritë e jona. I druhemi euforisë dhe gjatë kësaj jave duhet të punojmë shumë për këtë pjesë”.
“Në mekaton e verës nuk isha i kënaqur, por tani, me afrimet që kemi bërë, jam shumë i kënaqur. Erzeni do të jetë një kundërshtar i vështirë për çdo ekip. Objektivi? Të mundim Orikumin”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




