Falsifikimi i i kartëmonedhave, eksperti: Asnjë problem me serinë e re të lekëve shqiptarë

Ekonomi | 3 vite më parë

Seria e re e kartëmonedhave që Banka e Shqipërisë ka hedhur në qarkullim ka rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë së tyre, duke ua vështirësuar punën falsifikatorëve.

Aranit Bajri, përgjegjës i Qendrës Kombëtare të Analizës në BSH, tregoi për “Mirëmëngjesi Shqipëri” se falë këtyre ndërhyrjeve dhe aplikimit të teknologjive të sofistikuara, prerjet kryesore ende nuk kanë rënë pre e falsifikimit.

“Është i njohur fakti që Banka e Shqipërisë ka përmirësuar sigurinë e kartëmonedhave me risi për të gjitha prerjet. Janë futur elemente që janë të vështira për t’u falsifikuar. Për prerjet 200-she apo 10.000-she nuk kemi asnjë rast falsifikimi,” u shpreh z. Bajri.

Verifikimi i kartëmonedhave mund të kryhet manualisht dhe me aparatura të posaçme.

“Prek, shiko dhe lëviz” është metoda që sugjeroi z. Bajri për qytetarët e thjeshtë.

“Në një kartëmonedhe ka tre nivele sigurie: niveli i parë i sigurisë për publikun është shiriti prej filigrani, ku tregohet portreti, vlera e kartëmonedhës. Një element tjetër është filli i sigurisë që ndryshon ngjyrën në bazë të këndit të shikimit. Në këndin djathtas është edhe libri me penë, i cili ndryshon ngjyrën gjatë animit. Përveç kësaj, edhe natyra e vetë letrës është e një përbërjeje 100 për qind pambuku, e përforcuar me printime të ngritura që ndihen edhe me dorë nga personat me aftësi të kufizuar shikimi,” tha përgjegjësi i Qendrës së Analizës në BSH.

Sado e sofistikuar të jetë një kartëmonedhë, falsifikatorët do mundohen ta replikojnë, shtoi z. Bajri.

“Ne përpiqemi herë pas here të përfitojmë nga zhvillimet e fundit teknologjike dhe t’i integrojmë ato,” tha ai.

Kartëmonedha më e çmuar shqiptare mban portretin e poetit rilindës Asdreni. Prerja me vlerë 10 mijë lekë vjen në kuadër të serisë së re të kartëmonedhave, paraprirë nga hedhja në qarkullim gjatë 2019 e 200-lekëshit dhe 500-lekëshit të ri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme