Familja Mehmeti rrit siperfaqet e mbjella në fshatin Bamatat të Delvinës

Në fshatin Bamatat të bashkisë së Delvinës, prej gati 8 vitesh familja Mehmeti merret me kultivimin e agrumeve dhe perimeve . Jetmiri është 38 vjeç dhe në vend që të largohet nga vendlindja, ka vendosur të qëndrojë aty dhe të investojë në sektorin e bujqësisë. Nëse shkon në fermën e tij do të gjesh më shumë se 5.000 rrënjë mandarina, portokalle e ullinj të mbjella në rreth 9 hektarë tokë dhe gjithë ato përime e frutikultura të tjera si bostani, pjepri, etj, të mbjella në rreth 5 hektarë të tjërë tokë. Ai ka nisur të merret me këtë punë nga pasioni për të punuar dhe lulëzuar tokën.
Klima tepër e favorshme e ndihmon edhe më tepër për të zhvilluar edhe më, këtë fermë që ai ka hapur me mund e sakrificë. Mehmeti tregon për rtsh se si vendosi të merret me këto kultura ndërsa plot pasion tregon edhe mënyrën se si kujdeset për to, së bashku me familjarët e tjerë por edhe puntorët.
“Kemi rreth 8 vite që merremi me këtë profesion, në fillim mbollëm rreth 400 pemë ndërsa tani i kemi bërë më shumë se 5.000. Merremi edhe me këto perimet, domate, bostanë, etj.
Edhe klima e favorizon pak këtu por edhe të rinj jemi, më mirë të punojmë këtu në vendin tonë se sa të ikim jashtë.
Kujdesi duhet i madh, puna është e madhe që bëhet. Mandarinat dhe portokallet duan një kujdes gjatë gjithë vitit që nga plehrat, nga pastrimet, spërkatjet. Edhe perimet duan kujdesin e tyre nga i ftohti, duhet të mbulohen, duan ujitje, spërkatje, çdo punë do atë kujdesin e saj.
Gjatë kësaj periudhe i vaditim pas disa ditësh nga kur është mbjellë pak ditë më parë, në mars, pastaj për një javë i zbulojmë nga plastmasi dhe vazhdojmë nga spërkatjet për të mos u prishur nga insektet.
Tregun e kemi të siguruar nuk e kemi të vështirë për ta gjetur.
Kjo është një punë e bukur sepse e bëjmë me pasion duke i mbjellë. Po të vish përditë këtu, sa herë që vjen, jo rriten, jo kanë kohën që kërkojnë spërkatjen, duhet të ujiten dhe këto gjëra n’a tërheqin duke u rritur u marrim edhe prodhimin, kjo patjetër që është kënaqësia më e madhe”, shprehet fermeri 38 vjeçar.
Për familjen Mehmeti dhe fermën e tyre, tregu për shitjen e prodhimeve është i siguruar jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit.
Në këtë fermë janë të punësuar edhe puntorë të tjerë sezonalë nga bashkia e Delvinës.
“Vështirësitë janë nga i ftohti më shumë. Ne jemi në fillim duke parë mësojmë më shumë për to. Për agrumet janë diku tek 10 hektarë tokë ndërsa me perime kemi vetëm 5 hektarë. Tregun e kemi edhe këtu por edhe jashtë, punojmë shumë me Kosovën, vijnë dhe ngarkojnë direkt këtu.
Punësojmë edhe puntorë sezonalë diku tek 15 vetë, varet nga dita nëse jemi në mbledhje ose në procese të tjerë, puntorët i marrim këtu nga zona. Vit pas viti, mbjellim dhe kërkojmë ta zgjerojmë këtë profesion”, pohon Jetmiri.
Dhe teksa kalon përmes fermës së familjes Mehmeti, syri të kënaqet nga gjelbërimi por edhe nga era e mirë e agrumeve. Agrume që familja Mehmeti mendon ti zgjerojë përvec Kosovës, ti tregtojë edhe ne vende të tjerë jashtë Shqipërisë . Ferma e familjes Mehmeti është një ndër shembujt e suksesit në zonën e Delvinës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




