Festivali Kombëtar i Shkencës, Rama: Rrisim investimet për startup-et dhe kapacitetet për të aksesuar fondet e BE-së

Arsim | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë Festivalit Kombëtar të Shkencës, e cilësoi këtë nismë si vendosjen e një “guri të parë” në një rrugë që duhet të jetë e gjatë dhe e suksesshme për të rinjtë shqiptarë.

“Shqipëria ka nevojë për të vënë në lëvizje të gjitha potencialet që fshihen në gjeneratën e re. Jemi shumë të vegjël me parametrat e vjetër, por jeni shumë gati me parametrat e kohës së re, lidhur me inovacionin dhe teknologjinë,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në sektorin publik përmes digjitalizimit të shërbimeve, por sektori privat ka ende shumë për të bërë. Për këtë arsye, qeveria po punon për të rritur financimet për startup-et dhe për të mbështetur të rinjtë me ide inovative.

“Nëse në sektorin publik kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, në sektorin privat kemi ende shumë për të bërë dhe për këtë jemi duke punuar për të rritur në mënyrë të konsiderueshme financimet për startup-et dhe për të rritur mbështetjen për të gjithë ata që kanë potencial dhe mund të kthehen në krijues dhe themelues të startup-eve. Ju nuk do t’ju lëmë pas dhe do të bashkëpunojmë me shkollat tuaja, duke krijuar një sistem që do ta mbështesim edhe me financime, në mënyrë që të gjitha këto projekte të mund të zhvillohen më tutje dhe ju vetë të hyni në rrugën e teknologjive të reja,” tha Rama.

Kryeministri shtoi se është e domosdoshme të forcohet bashkëpunimi me universitetet dhe të rriten kapacitetet për të aksesuar më shumë fondet e Bashkimit Europian për teknologjitë e reja.

“Duhet të gjejmë rrugët për të punuar me universitetet, për të rritur kapacitetet dhe aplikimet për të aksesuar më shumë fondet e BE-së për teknologjitë e reja”, përfundoi kryeministri.

Ky ishte edicioni i parë i Festivalit Kombëtar të Shkencës ku synon të shndërrojë shkollat në qendra krijimtarie dhe inovacioni, duke krijuar hapësira të strukturuara ku nxënësit prezantojnë ide dhe produkte shkencore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme