Formula 1, Alpine prezanton makinën e re

Formula 1 | 6 vite më parë

Edhe skuadra më e re, “Alpine” ka prezantuar makinën e saj për sezonin e ri të Formulës 1, duke kurorëzuar kështu edhe shndërrimin nga “Renault” në një skuadër të re. Në atë që ishte një prezantim virtual, të mbajtur në bazën e saj në Enstoun të Britanisë së Madhe, “Alpine” prezentoi makinën e re, që do të njihet si “A521” dhe që do të debutojë në garën e parë të këtij sezoni, në fund të këtij muaji.

Makina ka kryesisht ngjyrë blu, duke ndërthurur edhe trengjyrëshin e flamurit francez, ndërsa ajo ndërthur pjesët më të spikatura të një numri makinash të së shkuarës së “Renault” në botën e Formulës 1. “Renault” e mbylli në vendin e 5-të të renditjes së konstruktorëve sezonin e shkuar, por u ngjit me pilotët e saj 3 herë në podium dhe Esteban Okon do të mbetet me skuadrën franceze edhe për këtë vit.

Ndërkohë,  pas kalimit të Daniel Riçiardos tek “MekLaren”-i, Okoni do të ketë përkrah dy herë kampionin e botës, Fernando Alonso, i cili rikthehet në Formula 1 pas dy vitesh mungesë dhe ka nënshkruar një kontratë shumëvjeçare. Spanjolli mungoi në prezantimin e së martës, teksa rikthehet tek “Renault” për herë të 3-të, ndërsa skuadra e re, “Alpine” ka bërë disa ndryshim edhe në drejtim, duke larguar drejtuesin e deritanishëm, Siril Abitebul, dhe duke e zëvendësuar atë me ish-drejtuesin e skuadrës së “Suzuki”-t në  Moto GP, Davide Brivio.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme