Fotoja në Instagram si kërcënim për Trumpin-Ish-drejtori i FBI-së, James Comey dorëzohet te autoritetet amerikane

Amerikë | 5 muaj më parë

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey është dorëzuar ditën e sotme për t’u përballur me akuzën mbi imazhin që shpërndau në rrjetet sociale, ku sipas autoriteteve amerikane përbënte kërcënim për jetën e presidentit Donald Trump.

Akuzat rrjedhin nga një postim në Instagram nga maji vitit 2025, ku Comey botoi një foto me guaska deti në plazh të rregulluara në formën “86 47”, me titull “Cool shell formation on my beach walk”. “Eighty-six” (86) është një shprehje që do të thotë “hiq qafe”, “largoj” ose “elimino”, ndërsa 47 i referohet Trumpit si presidenti i 47-të i SHBA-së. Prokurorët pretendojnë se ky postim inkurajonte dhunë kundër Trumpit, transmeton BBC.

Comey e fshiu postimin menjëherë dhe shpjegoi se e kishte parë si një mesazh politik të thjeshtë, nuk e dinte kuptimin e mundshëm të dhunshëm të numrave dhe se ai kundërshton çdo formë dhune.

Ai mohon çdo keqbërje dhe akuzon prokurorinë se është e motivuar politikisht, duke e quajtur ndjekje hakmarrëse për kritikën e tij ndaj Trump.

Ky është rasti i dytë penal kundër Comey nga Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit të dytë të Trump.

Ai u paraqit shkurtimisht në një gjykatë federale në Virxhinia nuk foli në seancë, por avokati i tij tha se do të argumentojnë se akuza është hakmarrje politike.

Prokurorët federalë pretendojnë se një person i arsyeshëm do ta interpretonte postimin si kërcënim serioz.

Prokurori i Përgjithshë m Todd Blanche deklaroi se “nuk është aspak politik” dhe se “kërcënimi ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara është serioz”.

Ai përmendi edhe incidentin e fundit në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ku një person u ndalua nga Shërbimi Sekret.

Çështja ngre debate të forta rreth Amendamentit të Parë që ka të bëjë me lirinë e shprehjes dhe asaj se çfarë përbën një “kërcënim të vërtetë” sipas vendimeve të Gjykatës së Lartë.

Ekspertë ligjorë thonë se prokuroria ka një barrë të madhe prove për të provuar që Comey e kuptonte mesazhin si kërcënim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme