Gazetari Blendi Fevziu: Këto zgjedhje reflektojnë fushatën më të keqe në 35 vitet e fundit
Gazetari i njohur, Blendi Fevziu ka komentuar për mikrofonin e RTSH-së Zgjedhjet Parlamentare që po zhvillon Shqipëria teksa i ka konsideruar si më të zbehtat dhe pa entuziazëm.
“Në këndvështrimin tim janë zgjedhjet më të zbehta dhe më pa entuziazëm, të kthyer në një lloj normaliteti. Po mendoj që këto janë zgjedhjet e fundit të një periudhe politike që kthehen në zgjedhje thjesht për të zgjedhur, pra pa atë entuziazmin apo frymëzimin që kanë pasur zgjedhjet e tjera. Me aq sa kam parë në qendrat e votimit dhe sa kam lëvizur për Tiranë, duket që ka një zbehje edhe në numrin e votuesve”, u shpreh gazetari.
Duke e konsideruar si më të keqen në 35 vitet e fundit, gazetari Fevziu vlerësoi se fushata zgjedhore nuk pati përballje programore ndërmjet partive, por u transferua në rrjete sociale. Sipas gazetarit, fushata është e bukur kur gara bëhet shumë e forte dhe palët janë shumë pranë njëra-tjetrës.
“Ndërkohë zgjedhjet sot reflektojnë fushatën më të keqe që unë mbaj mend në këto 35 vite në Shqipëri. Më e keqja sepse nuk pati përballje mbi programet apo dasi të mëdha ideologjike, të dyja palët lëvizën më shumë me idenë e rrjeteve sociale ku nuk kishte ide por vetëm prezantim. Nuk pati asgjë thelbësore. Ndoshta do mësohemi që zgjedhjet e ardhshme do të jenë e këtij formati dhe ndërkohë mesa duhet ka një diferencë në raportin e forcave politike që është reflektuar tek votuesit.
Fushata është e bukur kur gara bëhet shumë e forte dhe palët janë shumë njëra-tjetrës. Zgjedhjet e fundit ku politika ka pasur një peshë shumë më të madhe në shoqëri sesa do ta ketë sot e në vijim. Do të jenë zgjedhje normale si çdo vend i Europës”, u shpreh për mikrofonin e RTSH-së gazetari Fevziu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





