Gazment Bardhi thirrje nga Kavaja: T’i japim fund Edi Ramës dhe të rikthehemi në pushtet

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi teksa ka zhvilluar një takim me demokratët e Kavajës ka theksuar se demokratët duhet t’i japin fund keqqeverisjes së kryeministrit Rama.
Duke folur në përkujtim të 26 marsit 1990, demonstratës së parë antikomuniste, Bardhi tha se kjo dite duhet të shërbeje si një moment ku shqiptarët të bëhen bashkë, të mospajtohen me padrejtësinë dhe keqqeverisjen 12 vjeçare të Edi Ramës dhe të sjellin ndryshimin njëlloj si 34 vjet më parë.
“Edhe pas 33 vitesh, Kavaja i dha leksion partisë demokratike, dhe na tregoi të gjithëve se cila është rruga qe duhet te ndjekim drejt 2025.
Unë nuk do të shpall fitoren sot këtu, por kam bindjen se po të bëjmë atë që bëtë ju në Kavajë, që nuk u nënshtruat, reaguat, u përballët, kishit alternativën dhe ekipin e duhur, duke treguar vlera, ne do të mund të realizojmë atë që se realizuam dot ne vitin 2021.
Të garantojmë fundin e keqqeverisjes së Edi Ramës dhe garantimin e rotacionit që ka nevojë Shqipëria”, u shpreh Bardhi.
Sipas Gazment Bardhit, Kavaja në vitet e fundit ishte leksion i qëndresës dhe shembullit se si mundet e keqja.
“Në 14 maji të një viti më parë, ju kishit morali, ndërsa përballë kishit antimoralin, siç është Kryetari i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj. Dhatë leksionin e qëndresës por edhe leksionin se vetëm të bashkuar mund të fitojmë. Nuk kam ndërmend t’u flas ju se sa keq qeveris Edi Rama. Sepse ju jeni ata që me shumë se ne e vuani keqqeverisjen. Madje në vitet e fundit ne ua kemi shtuar vuajtjen me gabimet tona. Prandaj ne ju detyrohemi një ndjesë të sinqertë dhe krahas kësaj kemi për detyrë të krijojmë rrugën se si Partia Demokratike, do duhet të kthehet në pushtet”, tha Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




