GJKKO vendosi masë sigurie ndaj tij, Berisha: Prokuroria veproi me urdhër të Edi Ramës

Politikë | 3 vite më parë

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ish-kryeministri Berisha ka reaguar mbi masën e sigurisë të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit si dhe lidhur me arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Sipas Berishës, masa ndaj tij është dhënë me urdhër të Edi Ramës. Ndërsa theksoi se Malltezi nuk është marrë në pyetje nga asnjë prokuror për ato që akuzohet.  

“Dje në Parlamentin e Shqipërisë ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë të denoncuar publikisht në këtë sallë, për manipulim dosjesh dhe lidhjesh me krimin dhe bandat për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë lëvizje nuk mund të cenohet pa miratimin e Parlamentit.

Por duke qenë autor i një propozimi të tillë që ky nen të hiqet unë pranoj plotësisht sfidën. Pra, as kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësit të cilët ndjehen më Sali Berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur nëpër Evropë nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve parlamentare, por në vendin ku prokuroria është seksion i PS-së mund të merret çdo vendim.

Ndaj meje është ngritur akuza për pastrim parash,  dhëndri është ndaluar në aeroport i cili po priste të shoqen që vinte nga jashtë. Ndalohet pa u marrë në pyetje nga asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës i vendit”, u shpreh Berisha ndërsa shtoi se “këto akuza janë absolutisht pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm atij”.  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme