Gratë dhe vajzat e vrara në një dekadë, Spahiu: Po punohet për disa ndryshime në Kodin Penal
Numri i vajzave dhe grave të vrara nga bashkëshortët e partnerët ka ardhur në rritje në dekadën e fundit, çka për ekspertët reflekton problematikat me të cilat ato përballen, që nga indiferentizmi i institucioneve deri te mentaliteti patriarkal.
“Janë 127 nëna, motra dhe vajza që mungojnë sot në shtëpitë e tyre, dhe ndaj kësaj nuk mund të heshtim”, tha Mirela Arqimandriti, drejtuese e GADC.
“Janë sidomos gra të vrara nga emigrantë në vende të ndryshme në Europë, por jo vetëm, që do të thotë se mendësia vjen me ne deri në fund të jetës”, tha Ines Leskaj, drejtuese e AWEN.
Për nënkryetaren e Kuvendit, Klodiana Spahiu, aktualisht po punohet për disa ndryshime në Kodin Penal, por jo vetëm.
“Vetëm për vitin 2021–2023 janë vrarë 32 gra. Jemi akoma në proces me grupin ndërinstitucional për hartimin e ndryshimit të metodologjisë që synojnë zbatueshmërinë më të fortë në praktikë, veçanërisht në nivel bashkish dhe shërbimesh komunitare”, tha nënkryetarja e Kuvendit.
Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit zyrtar të fushatës së re kundër femicidit “Derisa Vdekja të na ndajë”, të iniciuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, ku u prezantua simbolikisht fustani i fushatës, si pjesë e nismës rajonale kundër femicidit.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




