Tërmet 5.7 ballë në Japoninë qendrore, mbi 20 të plagosur dhe dëme materiale

Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë goditi Japoninë qendrore në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke shkaktuar mbi 20 të plagosur në prefekturat Aichi dhe Shizuoka. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka pasur paralajmërim për cunami.
Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, tërmeti u regjistrua në orën 01:04, me epiqendër në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash.
Ky konsiderohet tërmeti më i fortë që ka goditur prefekturën Aichi në rreth 30 vitet e fundit. Një lëkundje me magnitudë mbi 5 ballë ishte regjistruar për herë të fundit në këtë zonë në vitin 1997.
Autoritetet konfirmuan se nuk janë konstatuar anomali në centralin bërthamor Hamaoka, në Shizuoka. Ndërkohë, Agjencia Meteorologjike vlerësoi se mundësia që lëkundjet të kenë lidhje me një megatërmet të mundshëm në zonën Nankai Trough është e ulët.
Si pasojë e tërmetit, disa shërbime lokale hekurudhore u pezulluan, ndërsa trenat me shpejtësi të lartë Tokaido Shinkansen pësuan vonesa për shkak të uljes së shpejtësisë si masë sigurie. Operimi normal rifilloi para mesditës.
Japonia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj aktivitetit sizmik për shkak të pozicionit të saj gjeografik, ku tërmetet janë një fenomen i shpeshtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




