Ndërtesa e Aramco-s dëmtohet në Riad pas sulmeve të Huthëve; 33 të vdekur nga goditjet saudite në Jemen

Lindja e Mesme | 14 minuta më parë

Zona financiare e Riadit është bërë shënjestër e një sulmi me raketa, me pasojë dëmtimin e ndërtesës së gjigantit energjetik Aramco, ndërsa koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se ka arritur të kapë një pjesë të mjeteve shpërthyese të lëshuara nga militantët Huthi të Jemenit.

Dëshmi të mbledhura nga agjencia e lajmeve AFP konfirmojnë përmasat e goditjes në qendrën financiare të kryeqytetit saudit. Një dëshmitar u shpreh se “kulla Aramco në Kafd u godit, kjo është e sigurt”, duke iu referuar Distriktit Financiar të Mbretit Abdullah, ndërkohë që edhe dëshmitarë të tjerë në vendngjarje pohuan se kanë parë dëme materiale në strukturën e ndërtesës.

Ngjarja u regjistrua pak orë pasi mbrojtja ajrore saudite njoftoi asgjësimin e një tjetër rakete balistike të drejtuar nga Provinca Lindore e mbretërisë. Gjatë natës, autoritetet e mbrojtjes civile lëshuan alarme rreziku për kryeqytetin Riad dhe rajonin e Najranit, të cilat u pasuan nga shpërthime të forta të dëgjuara në disa zonave të qytetit.

Paralelisht me zhvillimet në Riad, situata mbetet e rëndë në terrenin jemenit si pasojë e kundërpërgjigjes ushtarake. Sipas të dhënave të transmetuara nga Al Jazeera, që citojnë zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga rebelët Huthi, numri i të vdekurve nga një seri sulmesh ajrore saudite në zonën al-Shariyah të distriktit Bani Hashish “është rritur në 33”, ndërsa të paktën 39 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme