Hapen 16 qendra votimi në burgje, mbi 3 mijë të paraburgosur dhe burgosur me të drejtë vote

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjashtëmbëdhjetë Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale nga 21 në total hapën të dielën qendrat e votimit në të gjithë vendin.

3.027 persona të dënuar dhe të paraburgosur u është mundësuar të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, ndërsa mbi 1 mijë të burgosur u privuan nga kjo e drejta për të zgjedhur, pasi preken nga ligji i dekriminalizimit.

Procesi zgjedhor në institucionet penitenciare u zhvillua në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare falë edhe bashkëpunimit me OSBE-në.

Në IEVP-në e Fierit votoi edhe ish-deputeti Ervin Salianji.

“Votoni, votoni, votoni! Pjesëmarrja në votime në këto zgjedhje dhe tejkalimi i gjithë deformimit të vullnetit të zgjedhësve që i bëhet këtij procesi është ilaçi për të shëruar Shqipërinë,” u shpreh z. Salianji.

Në burgun 313 votoi edhe presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ndërsa në IEVP-në e Durrësit votuan edhe ish-ministri Lefter Koka, kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-deputeti Alqi Bllako, të cilët nuk kanë pranuar që në momentin e votimit të jenë prezente kamerat.

Në procesin e votimit në burgje kanë marrë pjesë të burgosur apo paraburgosur që janë pajisur me kartat e identitetit, ata që e kanë pasur të skaduar, por që u është shtyrë afati i vlefshmërisë së tyre, si dhe nga ata që kanë marrë autorizim e duhur në Gjykata për t’u bërë pjesë e procesit.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme