Hedhja e shortit, Pampuri: Marrja peng e një partie politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri reagoi të martën pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të trupës gjykuese që do të shqyrtojë në themel çështjen e PD-së.
Pampuri i kërkoi Magjistratëve të Apelit që ta trajtojnë çështjen me prioritet dhe me profesionalizëm, si interes për demokracinë dhe vendin dhe jo thjesht si një çështje të brendshme partiake.
“Pas më shumë se dy vitesh zvarritjesh të pakuptimta dhe duke qenë se jemi një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, është koha që ky diskutim të marrë fund dhe që Partia Demokratike të vijojë misionin e saj për t’u shndërruar në shpresën që presin shqiptarët”, deklaroi Pampuri.
Sipas saj, koha kur për interesat personale kërkohet të mbahen peng një parti politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
“Dhënia fund e diskutimit të statusit të saj do ta çlirojë PD nga peng- marrja dhe nga përdorimi për interesa vetjake, dhe do t’i japë mundësi të jetë alternativa e duhur për njerëzit”, përfundoi Pampuri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




