“Humbja, ndëshkim për Berishën”, ish kandidati për kreun e PD: Rama, i vetmi që na çon në zgjedhje të parakohshme

Politikë | 4 vite më parë

Fatbardh Kadilli ka prej 2 vitesh që kërkon pa u lodhur reforminin e opozitës dhe të PD si një forcë moderne, e besueshme, e shkëputur nga e kaluara. Pas disfatës së rëndë të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, ai drejton gishtin tek një person përgjegjës.

“Nuk jemi më në garë si opozitë, sepse kjo është katandisje në një grusht bashkish. Bastionet jo vetëm humbasin, por humbasin edhe thellë. Humbja e thellë e bastioneve si Shkodra dhe Kamza nuk është ndëshkim për kandidatët, pasi nuk besoj që zoti Spahia u konsumua për 1 vit dhe u mërzitën shkodranët me të. Është ndëshkim për projektin politik të Sali Berishës, që mendoi se i del zot Shqipërisë duke u bashkuar me Metën dhe duke u ndarë nga të vetët.”- tha për emisionin “Pa Censurë në RTSH”, Fatbardh Kadilli. 

Kadilli i cili humbi përballë Bashës në 2021 në garën brenda partisë, beson se kur një forcë politike humbet, ajo duhet të rindërtojë vetvetën mbi ndarjen me të shkuarën e saj.

“Kur mban të keqen me vete, nuk ka asnjë shans për fitore. Nuk mundet e shkuara të shihet si e ardhme dhe dëshpërimi si shpresë. Nuk kemi më jetë që t’ia falim korrigjimit historik të Berishës. 3 herë e nisi me nder e mbylli me turp. Erdhi si liberator, u rrëzua si diktator në 1997-ën, erdhi si antikorrupsioni, iku si korrupsion në 2013, iu dhurua nga Rama paqe, që të mbahej mend për punët e mira dhe sot është non grata.”- shprehet pa e fshehur revoltën e tij Fatbardh Kadilli, i cili beson se ka ende konë për një projekt që e ringre opozitën. 

“Projekti i ri politik i opozitës duhet të jetë 100% ndryshe nga ai i Ramës. Nuk e rrëzon dot Ramën e korruptuar një tjetër i korruptuar apo është akuzuar, apo është rrëzuar nga pushteti si i korruptuar. Nuk e rrëzon dot një klient tjetër i oligarkëve. Njerëzit duan diçka të pastër, të ndryshme, moderne.”- tha zoti Kadilli, i cili mendon se të gjitha palët duhet të bëhen bashkë përtej atyre që i drejtojnë tani.

Po aq kritik ai isjte dhe me drejtimin e PD zyrtare nga Enkelejd Alibeaj prej të cilit pret dorëheqjen.

“Është fatalitet që për 1 vit zoti Alibeaj dhe kolegët e tij nuk prodhuan asnjë tezë politike, asnjë aksion politik, nuk bënë asnjë mbledhje. Ai më tha se “kush e ndien, vjen vetë”, por politika nuk zhvillohet kështu. Atij nuk ia fal, njësoj si Berishës. Ndërsa Basha ka treguar se bëri një xhest, bëri një hap mbrapa. Duhet një opozitë e re. S’mund të rrimë të presim që dikur të çmendet Rama, të vrasë veten dhe partinë e tij dhe ne nga gropa të dalim fitimtarë?!”- tha Kadilli për emisionin “Pa Censurë”.

Zgjedhjet e parakohshme të premtuara nga Berisha? Sipas Kadillit nuk kanë asnjë shans.

“Vetëm nëse i kërkon Rama”- shprehet ai me një bindje që Rama mund t’i provokojë për të marrë më shumë mandate sesa ka tani. “Me këtë gjendje që jemi ne? I këput një palë zgjedhje, merr 90 mandate, ndryshon dhe kushtetutën dhe bën ç’t’i dojë qejfi. Ishalla s’i shkon më mendje kjo gjë”- tha Fatbardh Kadilli për emisionin “Pa Censurë”. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme