Ibrahimaj: Mbështetje financiare për startup-et, do testojmë pagesat digjitale në tri qytete

Kompanitë e reja dhe ato që sapo kanë nisur të konsolidohen në Shqipëri pritet të mbështeten financiarisht dhe konceptualisht nga qeveria shqiptare.
Ministrja e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, deklaroi në emisionin “Ekspres” me gazetarin Nolian Lole se në bazë të një strategjie të mirëmenduar janë përcaktuar edhe kategoritë që do të mbështeten
“Njerëzve që kanë ide për hapjen e një sipërmarrjeje duam t’u japim mbështetje deri në 1,5 milion lekë. Për bizneset me përvojë mbi 6 vite ka dy kategori mbështetjeje: 4,5 milionë lekë nëse duan të zhvillojnë një prototip, ndërsa për ato që e kanë zhvilluar prototipin e tyre, por kanë nevojë për t’u rritur, vlera e mbështetjes është deri në 9 milionë lekë të rinj. Parashikojmë të mbështesim nga 50–75 sipërmarrje në fushën e Teknologjisë së Informacionit,” u shpreh ministrja.
Znj. Ibrahimaj theksoi se mbështetja e qeverisë nuk lidhet vetëm me fushën IT, por edhe me inovacionin në shërbimin e ofruar ose për një shërbim që nuk ekziston.
Një komitet i posaçëm do të bëjë vlerësimin në mënyrë të pavarur dhe transparente.
“Unë mendoj që do ketë shumë të rinj që do aplikojnë dhe profesionistë jo të rinj nga sektorë të ndryshëm. Këto kategori biznesesh në gjithë botën mbështeten në formën e granteve dhe mbështeten sepse kanë risk më të lartë dhe u mungojnë asetet. Synimi është që përveç granteve nga qeveria apo donatorët, të kryejnë edhe vetëfinancimin, që të mundësojnë kapital,” tha znj. Ibrahimaj.
Thelbësore për qeverinë është që kompanitë e reja shqiptare të krijojnë produkte që zgjidhin problematikat e tregut të brendshëm, por edhe ndërkombëtarizimi i nismave do të përkrahet.
Digjitalizimi i shërbimeve ka interes publik, po ashtu, shtoi ministrja.
“Pjesa më e madhe e shërbimeve tona publike janë digjitalizuar. Para dy vitesh mbyllëm sportelet dhe tani njerëzit e shohin që nuk ka më data, ryshfete. Jemi më mirë se vendet e rajonit dhe se shumë vende të zhvilluara ku ka burokraci më të madhe, por nuk do të mjaftohemi me kaq. Qëllimi ynë është lehtësimi i dhënies së shërbimeve nga momenti i aplikimit deri te ofrimi i tij, shërbime më cilësore dhe në një kohë më të shkurtër. Inteligjenca artificiale besojmë se do na japë ‘boost’ të madh,” tha ministrja Ibrahimaj.
Për sa i përket pagesave, ministrja e Sipërmarrjes tha se ndër objektivat afatmesëm është kalimi i tyre në formatin digjital për të minimizuar përdorimin e parasë në dorë dhe informalitetin.
“Ekonomia jonë është e bazuar në paranë e dorës, që nxit informalitetin. Në kulturën tonë ne e duam paranë e dorës. Por shumë shpejt do të testojmë përdorimin e pagesave me QR-Code dhe ato që quhen ‘electronic wallets’ për pagesat e përditshme. Testimi do të nisë në Tiranë, Peshkopi dhe Përmet. Ajo që duam të testojmë është ndërveprimi i qytetarëve apo bizneseve të vogla, të cilat ndodhen nëpër lagje, si qytetarët i përdorin aplikacionet. Në 2024-ën nuk mund të pranohet më që një pjesë e pagesave të bëhen në dorë, që pensionet të merren në dorë,” u shpreh ministrja Ibrahimaj në “Ekspres”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




