Inceneratorët/ Grupi i ekspertëve në PD dorëzojnë në SPAK materialin me 653 faqe: Megaaferë, hetojeni

Grupi i ekspertëve në PD kanë dorëzuar në SPAK një material me 653 faqe, në lidhje me zbardhjen e asaj të cilën e konsiderojnë si afera e inceneratorëve.
Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi shprehet se kërkon ndalimin e menjëhershëm të financimit të projektit të cilësuar prej tyre si korruptiv, për të cilat sikurse thekson ai, SPAK duhet të hetojë.
“Në këtë material, Grupi i Punës ndihmon në mënyrë thelbësore për hetimin e kësaj çështje, sidomos lidhur me deklarimet e rreme të dhëna në Letër Porositë, nga aksionerët e sotëm. Këtë material po i’a përcjellim në mënyrë urgjente z. Altin Dumani, pasi ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK të hetojë nëse janë para të zyrtarëve të veshur me pushtet, apo janë para të grupeve kriminale si Ndragheta, etj”, tha Këlliçi.
Ky i fundit u shpreh se materiali përmban të dhëna si, kontrata të nënshkruara mes palëve, dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë institucioneve shqiptare dhe komunikime elektronike mes palëve e dokumente financiare.
Këlliçi paralajmëron se ata nuk do publikojnë përmbajtjen e materialit, pasi shpresojnë që Dumani të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore deri në zbardhjen e plotë të kësaj çështje.
“Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj afere korruptive, e cila pa diskutim ka ideatorë dhe përfitues kryesorë dyshen Rama – Veliaj, për të cilët po përgatiten 3 kallëzime të reja pranë SPAK.
Pushteti arbitrar dhe korruptiv i Edi Ramës, mund t’i caktojë kryetarin opozitës, mund t’i caktojë grupin parlamentar, mund t’i mohojë komisionet hetimore parlamentare, por asnjëherë misionin e saj. Ne jemi të vendosur që çështjet publike, të parave të taksapaguesve, t’i ngremë me forcë dhe të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet çdo mënyre të ligjshme.
Megaafera e inceneratorëve është vetëm njëra prej tyre”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




