Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin nga burgu

Aktualitet | 3 vite më parë

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta hedhë poshtë vendimin e Apelit të Posaçëm për burgosjen e tij për “shpërdorim detyre”.

Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vijon të qëndrojë në burg që prej arrestimit më 6 qershor me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Vendimi u mor më 18 korrik nga Apeli i GJKKO-së dhe atë pritet ta shqyrtojë tani gjyqtari Ilir Panda.

Arrestimet për shpërdorim detyre

Ish-kryebashkiaku Dako arrestua me akuzën për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet përfshinë procedurat e ndjekura në dhënien e një tenderi për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, si dhe lejen për ndërtimin e një pallati që përfundoi me 4 kate shtesë.

Bashkë me Dakon, SPAK lëshoi në qershor edhe 8 urdhërarreste të tjera për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe ndërtuesin e pallatit që u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Në rastin e tenderit, gabimi me një presje dhjetore në llogaritjen e sipërfaqes u bë shkak për 10-fishimin e vlerës së fondit limit nga 21 milionë lekë në 210 milionë lekë, me dëm 18 milionë lekë në buxhetin e shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme