Ish-kryeministri i pandehur, Kikia në “3D”: Grupi i Gazment Bardhit mund të ngrejë krye kundër Berishës

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia është shprehur se me situatën e krijuar tani në Partinë Demokratike ku Sali Berisha gjendet i pandehur nga SPAK, pritet të përfitojnë grupet rivale brenda radhëve të opozitës.
Duke folur në emisionin “3D” në RTSH1 Kikia theksoi se tani Berisha po shihet si një barrë brenda Partisë Demokratike dhe fakti që ai gjendet në këtë pozitë, sipas Kikisë krijon hapësira për kundërshtarët e Berishës brenda PD-së për të ngritur krye kundër tij.
“Qytetarëve iu intereson që të kenë një opozitë reale për t’u përballur me qeverinë dhe për t’i ulur asaj shkallën e arrogancës dhe veprimit. Kjo nuk shikohet të ndodhë dhe bëhet edhe më e largët nga kjo që po ndodh me Berishën.
Ky mund të jetë një rast dhe një mundësi që forca të tjera në kampin e demokratëve mund të ngrenë krye ndaj Berishës.
Kemi një grup brenda PD-së edhe pse është qasur me PD-në që përbën shumicën, grupi i z.Bardhi i cili deklaroi një qëndrim gati-gati suedez dhe ishte politikisht korrekt”, u shpreh Kikia.
Ai theksoi më tej se në situatën ku gjendet Berisha ai shihet si një barrë për vetë Partinë Demokratike, teksa iu referua vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit e cila ka vendosur masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Berisha, pasi akuzohet për korrupsion pasiv duke favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për të privatizuar ish-kompleksin e klubit sportiv “Partizani” në kryeqytet”.
“Berisha me një kufizimet e tjera ligjore dhe me një hetim që do të konkludojë ndoshta edhe me një akuzë në gjykatë do të jetë një peshë e shtuar dhe kjo do të tkurrë edhe më shumë mbështetësit duke u radikalizuar në një grup edhe më të vogël fanatikësh të cilët do të jenë në gjendje ta ndjekin deri në fund, por kjo nuk do të mjaftojë për të përbërë atë opozitën alternativë përballë qeverisë”, nënvizoi Kikia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




