Izraeli zgjeron operacionet tokësore në Gaza, bombardime të rënda gjatë natës

Forcat tokësore izraelite janë brenda Gazës pasi kanë hyrë gjatë natës nga veriu, tha zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari.
“Forcat izraelite hynë në Rripin e Gazës dhe zgjeruan operacionin tokësor ku marrin pjesë këmbësoria, forca të blinduara dhe njësitë inxhinierike dhe artileria me zjarr të rëndë. Forcat janë në terren dhe vazhdojnë luftimet”, tha Hagari gjatë një konference për shtyp në Tel Aviv.
Fjalët e zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) konfirmojnë se operacioni ushtarak ka pësuar një zgjerim të konsiderueshëm. Megjithatë, sipas CNN, nuk duket sikur ndonjë ofensivë e madhe tokësore, që synon kapjen dhe mbajtjen e sasive të konsiderueshme të territorit, është ende duke u zhvilluar.
Veriu i Rripit të Gazës u godit gjatë natës në një shkallë të gjerë. Sipas shërbimit të mbrojtjes civile në territorin e drejtuar nga Hamasi, sulmet ajrore të Izraelit shkatërruan qindra ndërtesa në Gaza.
Izraeli refuzoi thirrjen për armëpushim të miratuar mbrëmjen e së premtes nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Duke reaguar ashpër, ministri i jashtëm Eli Cohen e cilësoi të neveritshme thirrjen kësaj organizate. Sipas tij Izraeli synon të eliminojë Hamasin ashtu siç u përball bota me nazistët dhe ISIS-in.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga vendet arabe ku bëhet thirrje për vendosjen e menjëhershme të armëpushimit humanitar dhe kërkoi qasje për organizatat e huaja në territorin e Gazës si dhe mbrojtje për civilët. 120 vende votuan pro, ndërsa 14 të tjera përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, votuan kundër.
Nga nisja e konfliktit në Gaza më 7 tetor kanë humbur jetën mbi 7300 palestinezë dhe mbi 1300 izraelitë./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




