Kamperët, zgjedhja e preferuar e turistëve/Vizitorët e huaj zgjedhin jugun për natyrën, lirinë e lëvizjes dhe qetësinë

Turizëm | 2 muaj më parë

Në Pyllin e Sodës dhe në Zvërnec, gjatë kësaj periudhe po qëndrojnë dhjetëra kamperë me turistë nga vende të ndryshme të Evropës.

Vizitorë nga Franca, Sllovenia, Gjermania, Italia dhe vende të tjera ndalojnë këtu, të tërhequr nga natyra, qetësia dhe mikpritja.

Sipas operatorëve turistikë  lokalë, numri i turistëve që udhëtojnë me kamper është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Turistët vlerësojnë natyrën, sigurinë dhe mundësinë për të udhëtuar lirshëm në destinacione të ndryshme. 

“Jam nga Austria, nga Vjena. Na pëlqen të shkojmë në plazh pasi ne nuk kemi det në Austri dhe këtu tek ju, është shumë bukur. Tani po gatuaj drekën me produkte të vendit tuaj. Është një gjë e mrekullueshme të shijosh aromën e Shqipërisë, të ndjesh mikpritjen  e njerëzve të saj dhe natyrën e papërsëritshme”, u shpreh një turiste.

“Jemi nga një miks vendesh, unë jam nga Rumania, por jetoj në Gjermani. Disa prej nesh jetojnë në Rumani, në Irlande apo në vende të tjera. Kushtet këtu janë shumë të mira, ushqimi i mrekullueshëm dhe njerëzit tepër miqësorë. Do të rrimë disa ditë në Vlorë e pastaj do te nisemi për në Korfuz”, tha një turist.

“Jam  nga Italia dhe po bëjmë një tur përmes Shqipërisë e cila ka  vende mjaft të bukura dhe njerëz të mrekullueshëm.  Gjatë vizitës tonë ne do të njihemi edhe me qytete te tjera veç Vlorës, siç është Shkodra”, tha një turist tjetër.

Turizmi me kamper po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në Shqipëri. Liria e lëvizjes, kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën dhe kostot më të ulëta të akomodimit po tërheqin një numër në rritje turistësh të huaj që zgjedhin këtë mënyrë udhëtimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme