Këlliçi: Arrestimi i Malltezit akt politik, kufizimi i lirisë së Berishës është antikushtetues

Politikë | 3 vite më parë

Ish- kandidati i ‘Rithemelimit’ për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, e ka komentuar si “përndjekje politike” arrestimin e Jamarbër Malltezit, ndërsa e konsideron “shkelje të Kushtetutës”, kufizimin e lirisë për ish- kryeministrin, Sali Berisha.  

Malltezi dhe Berisha janë marrë të pandehur nga SPAK për çështjen e tjetërsimit të pronës shtetërore të klubit të sportit Partizani.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Këlliçi komenton se arrestimi i Jamarbër Malltezit është një shkelje e qartë e ligjit, për shkak se më shumë sesa një hetim i pastër ligjor, “është dukshëm një përndjekje e pastër politike”.

“Jo vetëm sepse ai është familjar i Sali Berishës, por për shkak se zullumi i Rilindjes ka arritur atë kulm, sa lypset një kurim, duke hedhur prangat padrejtësisht në anën tjetër. Duhet një zhurmë shumë e madhe për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve, ku denoncues kryesor ka qenë vetë Jamarbër Malltezi, që nga dita e parë e bërjes publike të këtij skandali, aferë kjo e cila sapo ka shpalosur tashmë ideatorët dhe përfituesit kryesorë, që quhen Edi Rama dhe Erion Veliaj.”, shkruan Këlliçi.

 Ai shprehet se është mbështetes i drejtësisë dhe zhdukjes së pandëshkueshmërisë pa asnje kufizim, por, sipas tij, “një drejtësi me agjendë të pastër politike, që nuk është e verbër para ligjit, por mban një sy hapur për të qenë në rregull me pushtetin, nuk i shërben aspak vendit”.

 “Show dhe spektakli i gatuar në kuzhinën mediatike të qeverisë është një standard, i cili duhet të refuzohet me përbuzje nga çdo qytetar. Ish hetuesi i diktaturës Kraja, i cili ka shkelur Kushtetutën e vendit duke kufizuar lirinë e Sali Berishës pa asnjë vendimarrje të Kuvendit të Shqipërisë, do duhej që në fakt sot të kishte çuar para drejtësisë me prova e me fakte Edi Ramën bashkë me Erion Veliajn dhe tërë shpurën e tyre që kanë 10 vite që grabisin pasuritë publike dhe të ardhmen e shqiptarëve”, shkruan Belind Këlliçi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme