Gjenerali më i lartë i Kinës nën hetim për shkelje disiplinore

Azi | 8 muaj më parë

Autoritetet kineze kanë nisur një hetim ndaj gjeneralit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, në kuadër të spastrimit më të fundit brenda strukturave ushtarake të vendit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi të shtunën se Zhang Youxia, një nga dy nënkryetarët e Komisionit Qendror Ushtarak, po hetohet për shkelje të dyshuara të disiplinës dhe ligjit.

Zhang Youxia, 75 vjeç, është figura më e fundit e nivelit të lartë që përfshihet në një seri hetimesh ndaj zyrtarëve ushtarakë kinezë.

Hetimet janë pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit të nisur nga Xi që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2012, fushatë që ka çuar në ndëshkimin e mbi 200 mijë zyrtarëve në të gjithë vendin.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se edhe Liu Zhenli, një tjetër anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe shef i shtabit të Departamentit të Shtabit të Përbashkët, është vënë nën hetim nga Partia Komuniste e Kinës. Detaje mbi shkeljet e dyshuara nuk janë bërë publike.

Zhang Youxia iu bashkua ushtrisë në vitin 1968 dhe ka ndërtuar karrierën e tij në forcat tokësore. Tetorin e kaluar, Partia Komuniste përjashtoi nënkryetarin tjetër të komisionit, He Weidong, i cili u zëvendësua nga Zhang Shengmin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme