Incidenti me avionin Dubai-Tel Aviv/ Piloti indian rrëfen momentet dramatike: Po humbnim lartësi, hapa derën e kabinës të shpëtoja pasagjerët

Piloti indian Smit Machchhar ka rrëfyer momentet dramatike gjatë incidentit në avionin e kompanisë Flydubai që po udhëtonte drejt Izraelit, duke treguar se hapi derën e kabinës së pilotëve ndërsa ishte duke u sulmuar nga bashkëpiloti, në përpjekje për të ndalur uljen e shpejtë të avionit.
Gjatë një videotelefonate me kryeministrin indian Narendra Modi, kapiteni Machchhar tregoi se ndodhej në dysheme, i plagosur dhe ende nën sulm, kur kuptoi se avioni po humbiste lartësi me shpejtësi dhe se duhej të vepronte menjëherë.
“Po qëndroja i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes se duhej të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, rrëfeu piloti.
Sipas tij, pasi dera u hap, pasagjerë të tjerë hynë në kabinë dhe ndihmuan në kontrollimin e situatës.
“Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin”, tha Machchhar.
Incidenti ndodhi në një fluturim nga Dubai drejt Tel Avivit. Sipas raportimeve, piloti u sulmua nga një tjetër pilot që ndodhej në bord, duke detyruar avionin të devijonte drejt Arabisë Saudite.
Kryeministri Narendra Modi e vlerësoi veprimin e kapitenit, duke i thënë se “guximi, durimi dhe vendimmarrja e shpejtë” e tij kishin shpëtuar jetën e shumë njerëzve. Modi shtoi se e gjithë India ishte krenare për të.
Kapiteni Machchhar është vlerësuar edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e ka cilësuar atë një “hero të vërtetë”.
Pas incidentit, piloti u dërgua fillimisht në një spital në Tabuk, në veriperëndim të Arabisë Saudite. Më pas ai u transportua me avion drejt Abu Dhabit, ku raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Ambasada e Indisë në Emiratet e Bashkuara Arabe deklaroi të enjten se Machchhar është “në gjendje të mirë shëndetësore dhe po rikuperohet mirë”. Ambasadori indian Deepak Mittal tha se ishte “krenar për kapitenin Smit për trimërinë e tij” dhe se ishte shumë i qetësuar pasi u takua me të.
Autoritetet vijojnë të hetojnë rrethanat e incidentit dhe pritet të publikohen detaje të tjera mbi sulmin ndaj pilotit dhe mënyrën se si u arrit të vihej nën kontroll situata në avion.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





