Kooperativa “Gratë e Krushës”/ Në Kosovë po prodhohet më pak, kërkohet bashkëpunim me Shqipërinë

Sociale | 3 vite më parë

Janë në pikun e punëve të sezonit. Gratë e Krushës në ndërmarrjen e tyre të përpunimit e konservimit të perimeve po merren me specin. Fahrije Hoti, menaxhere e kooperativës, thotë se kërkesat e tregut janë të larta e mezi po e përballojnë. Fahrija thotë se edhe në Kosovë fermerët kanë ulur sipërfaqet e tokave të mbjella ndaj sytë i ka nga fermat e Shqipërisë për perimet.

”Fatkeqësisht prodhimtaria po zvogëlohet në parcelat e fermerëve ku është zbehur kultivimi i specit dhe domates, por fatbardhësisht kemi bashkëpunim me tregun në Shqipëri, ku kulturat e para të muajve qershor dhe korrik i importojmë nga Shqipëria. Ndërsa në gusht, shtator dhe një pjesë të tetorit punojmë me fermerë vendore, prapë diku në fillim të nëntorit fillojmë të bashkëpunojmë me tregun e Shqipërisë”, thotë menaxhere e kooperativës Fahrije Hoti.

Pjesa më e madhe e produkteve janë për eksport drejt shteteve të BE-së.

”Sado që prodhojmë sipas kërkesave që kemi duhet me punu 12 muaj për me arrit kapacitetin e prodhimit për të mbuluar tregun e Kosovës por dhe tregun europian”, thotë Fahrije Hoti.

Kooperativa bujqësore Gratë e Krushës është themeluar menjëherë pas luftës, nga gratë e vajzat  që kanë humbur burrat, vëllezërit e fëmijët e tyre në luftën e 1999, por të cilat  gjetën forcën për tu ri ngritur e në një farë mënyre e nisen si domosdoshmëri për të siguruar të ardhurat e për të mbajtur familjet .

Gazetare H. Dyrmishi

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme