Korçë, ambasadori Marco Alberti: Investimet italiane në Shqipëri arrijnë 1 mld euro, do sjellin vende të reja pune

Politikë | 42 minuta më parë

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, gjatë një vizite në Korçë, vlerësoi marrëdhëniet ekonomike dhe strategjike mes Italisë dhe Shqipërisë, duke evidentuar angazhimin e Italisë për rritjen e pranisë së saj në vend.

Sipas tij, Italia synon t’i japë një përmbajtje të re marrëdhënieve strategjike me Shqipërinë. Investimet italiane arrijnë rreth 1 miliard euro, ndërsa pritet të krijohen 600 deri në 700 vende të reja pune.

Ambasadori vlerësoi se forcimi i lidhjeve ekonomike ndihmon rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai përmendi sektorë të rinj ku Italia synon të zgjerojë praninë, si inteligjenca artificiale, sektori digjital dhe industria e mbrojtjes.

Alberti nënvizoi se synimi i pranisë italiane është krijimi i mundësive që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të punojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Synimi ynë nëpërmjet pranisë tonë këtu është që të rinjtë apo fëmijët e sotëm, të cilët në të ardhmen do të jenë të rritur, të qëndrojnë në Korçë, të japin kontributin e tyre”, u shpreh ambasadori, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe të mundësive për punësim e zhvillim.

Gjithashtu, ai vuri në dukje se përfaqësuesit diplomatikë italianë po ndjekin me vëmendje protestat dhe zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se nuk është detyrë e një ambasadori të prononcohet mbi to.

Ne i ndjekim me vëmendje protestat. Sigurisht që nuk i përket, nuk është detyrë e një ambasadori që përfaqëson një shtet të caktuar të shprehet apo të prononcohet për këtë. Ne jemi duke e ndjekur situatën dhe respektojmë çfarë ndodh”, tha Alberti.

Lidhur me çështjen e Vlora Hysenit, ambasadori deklaroi se ambasada merret me bashkëpunimin dypalësh dhe nuk mund të japë qëndrim mbi këtë temë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme